Maqedoni

Reshje intensive të borës, mobilizohen ekipet e shërbimit dimërorë të Shkupit

10.01.2019 15:25

Këtyre ditëve vendi është kapluar nga reshje intensive të borës dhe temperatura të ulëta të cilat gjatë orëve të mbrëmjes pritet të zbresin deri në -10 gradë celsius, duke shkaktuar ngrica.....

Ekipet e Shërbimit dimëror të kryeqendrës po punojnë intensivisht në pastrimin e borës nga rrugët, trotuaret dhe bulevardet e qytetit. Gjatë mbrëmjes së kaluar janë hedhur 355 ton kripë, kanë bërë të ditur nga Qyteti i Shkupit. Për pastrimin e trotuareve janë angazhuar 80 punëtorë nga NP “Higjiena komunale” dhe NP “Parqet dhe gjelbërimi”.
 
Njëkohësisht, ekipet e NP “Ujësjellësi dhe kanalizimi” punojnë në pastrimin e pusetave. Po ashtu nga qyteti i Shkupit ftojnë qytetarët, këshillat banesorë dhe pronarët e objekteve afariste t’i përmbushin obligimet ligjore për pastrimin e borës nga hyrjet deri te objektet e tyre. Po ashtu nga “Higjiena komunale” kanë apeluar te komunat e kryeqendrës që të realizojnë obligimin e tyre për të pastruar rrugët që janë në kompetencë të tyre.
 
Për shkak të reshjeve të borës, autobusët e Ndërmarrjes publike nuk kanë qarkulluar në disa linja. Po ashtu si pasojë e reshjeve të borës prej disa ditësh fshatrat Brezë, Malinë dhe Tanushë në rajonin e Karadakut të Shkupit kanë mbetur të bllokuara, ndërsa banorët e këtyre fshatrave janë ankuar se komuna e Çuçer Sandevës nuk u ka dalë në ndihmë. 
 
Ministri i pushtetit lokal, Suhejl Fazliu, tha se do të kontaktojë personalisht me kryetarin e komunës së Çuçer Sandevës dhe këtë problem do ta alarmojë edhe në nivele të qeverisë. 
 
“Kryetarin e komunës së Çuçer Sandevës e kanë kontaktuar nga kabineti i ministrisë dhe i kanë kërkuar që në bazë të mundësive që posedon komuna, të marrë masa dhe nëse ai deklarohet që komuna nuk ka mundësi, çështjen ta ngremë në nivelet më të larta qeverisëse dhe të shkojmë në ndihmë të banorëve të atyre viseve. Meqë edhe koha nuk shkon duke u përmirësuar, sot siç e shohim kemi edhe reshje më të mëdha të dëborës, unë këtë çështje do ta alarmoj edhe në nivele më të larta të qeverisë”,- u shpreh ministri i vetëqeverisjes lokale, Suhejl Fazliu.
           
Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim u kanë bëri apel komunave të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për ta pastruar borën dhe mbetjet e borës në mënyrë të normalizohet zhvillimi i komunikacionit dhe mbrojtjen e popullatës sipas detyrimeve nga Ligji për mbrojtje dhe shpëtim. Ndërsa Ndërmarrja “Rrugët e Maqedonisë” ka aktivizuar të gjitha ekipet dhe mjetet në dispozicion për t'i pastruar rrugët magjistrale që të mund të realizohet komunikacioni. Nga kjo ndërmarrje po ashtu apelojnë që automjetet e rënda të mos kalojnë në rrugët malore ndërsa veturat të mos dalin me goma vere.
 
ERSAN PAJAZITI