Maqedoni

Reshje intensive të borës në Tetovë, rrugët e Malësisë vështirë kalohen

10.01.2019 15:50

Rrugët e fshatrave të Malësisë së Tetovës për shkak të reshjeve intensive të borës vështirë kalohen....

Banorët ankohen se askush nuk merr masa për pastrimin e rrugëve të Malësisë. Sipas tyre, ekskavatori kalon vetëm një herë në 24 orë.
 
“Rruga katastrofë, katastrofë është. Më Zot më keq është, ne jemi duke u çuditur që as ekskavatori mos e pastrojë, asgjë hiç, udhët e ngushta, të vështira, ja me fëmijë shkojmë në spital. Nuk e dimë a komuna i ka fajet apo këto çka i pastrojnë i kanë fajet, kush i ka fajet nuk  e dimë”,- tha një banor. 
 
“Vështirë shumë, nuk e pastron komuna aspak, katastrofë janë rrugët, hiç, me pasur të sëmurë, çka të bëjmë”,- theksoi një banor. 
 
“Ka pastruar mbrëmë, kemi shpresë mos do të vi përsëri”,- potencoi një banor.
                                                          
Nga komuna e Tetovës me një komunikatë me shkrim theksojnë se janë në terren dhe po punojnë intensivisht për pastrimin e rrugëve, por reshjet e pandërprera të borës  vështirësojnë  pastrimin e rrugëve.
 
“Është hasur problem në fshatrat e thella të malësisë së Sharrit, Vicë, Gjermë, Bozovcë, pasi që bisedohet për kushte shumë të vështira atmosferike dhe për temperatura ekstreme. 90 cm është niveli i borës. Nga Shtabi i menaxhimit janë dhënë instruksione që të dërgohen ekipe përforcimi dhe makineri shtesë, me qëllim që rrugët e malësisë të jenë të kalueshme dhe të depërtueshme”,- deklaroi zëdhënësi i komunës, Armend Fazliu.
 
Në gjende të vështirë është edhe rruga regjionale Tetovë - Kodra e Diellit. Të pakënaqur me mënyrën e menaxhimit të kësaj qendre turistike, Iniciativa qytetare “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” për të shtunën në orën 11:00 ka paralajmëruar protesta.
 
VISAR SADIKI