Maqedoni
Protesta para Kuvendit, protestuesit: Shumica po bën tradhti kombëtare
10.01.2019 16:51
Dhjetëra qytetarë sërish dolën në protesta para Kuvendit derisa brenda saj zhvillohej seanca për ndryshimet kushtetuese....

Nën temperatura të ulëta dhe me reshje bore protesta e organizuar nga lëvizjet pro-ruse “Tvrdokorni”, “Maqedonia Bllokon”, “Maqedonia e Bashkuar” si dhe të mbështetura edhe nga VMRO-DPMNE, theksojnë se janë kundër ndryshimit të emrit të Maqedonisë dhe identitetit të saj, ndërsa seancën për ndryshimet kushtetuese e quajnë si tradhti të shumicës ndaj kombit.
“Ne sot vazhdojmë me tubimin tonë popullor, presim që edhe sot tubimi të jetë sa më masive, pasi jam i bindur nëse ne sot mblidhemi këtu do ta ndalim shumicën për ta bërë tradhtinë kombëtare. Pasi, siç e dini, me këto ndryshime fshihet gjithçka që është maqedonase”,- tha organizatori i protestës, Janko Baçev.
“Do të arrijmë që këtë vend ta ruajmë”,- theksoi një protestues.
“Premtoi se nuk do ta ndryshojë emrin ndërsa çfarë bën tani? Nuk e di çfarë pret Ivanovi në këtë rast”,- potencoi një protestues.
Nga LSDM akuzuan VMRO-DPMNE-në se po rreshtohet pas lëvizjeve destrukitve që dëshirojnë ta groposin të ardhmen e Maqedonisë.
“Mickoski iu bashkëngjit protestave anti NATO dhe BE, të organizuara nga Janko Baçev. Mickoski dhe Baçevi tregojnë se kush është kundërshtar më i madh i integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE. Miskoski dhe udhëheqësia e VMRO-së treguan edhe zyrtarisht se janë pjesë e një grupi të margjinalizuar i cili dëshiron të groposë Maqedoninë”,- deklaroi zëdhënësi i LSDM-së, Konstandin Konstandinov.
Derisa organizatorët e protestës thonë se do të vazhdojnë të protestojnë deri në orët e mesnatës, edhe nga Organizata joqeveritare “Civil” vlerësojnë se pengimi i Marrëveshjes së Prespës nuk është vepër patriotike. Marrëveshja e Prespës dhe ndryshimet në kushtetutë do t’i sigurojnë ardhmëri më të ndritur Maqedonisë dhe të gjithë qytetarëve të saj, vlerësojnë nga “Civil”.
ZEKIRIJA MEXHITI
