Maqedoni

Marrëveshja e Prespës, Tsipras: Jam në anën e vërtetë të historisë

10.01.2019 17:43

Procesi i ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës në Greqi do të fillojë menjëherë....

Procesi i ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës në Greqi do të fillojë menjëherë pasi në Maqedoni të përfundojnë ndryshimet kushtetuese dhe rezultati zyrtarisht të arrijë nga Shkupi në Athinë. Këtë e ka konfirmuar kryeministri grek, Alexis Tsipras, mbrëmë në një intervistë për televizionin grek “Open”. Ai hollësisht ka përshkruar hapat e mëtutjeshëm të qeverisë së tij që marrëveshja me Maqedoninë të hyjë në fuqi. Sipas vlerësimeve të tij, gjatë këtij muaji deputetët në Greqi do të votojnë për ratifikimin e marrëveshjes. 
 
Në lidhje me detyrimin e dytë të Greqisë për nënshkrimin e protokollit për anëtarësim në NATO, Tsipras tha se do të varet nga vetë Aleanca. Kurse sa i përket ngjarjeve të fundit në koalicionin qeveritar në Greqi, Tsipras tha se nuk është hera e parë që nuk pajtohet me Panos Kammenos, por beson se ai nuk ka qëllim që të pengojë qeverinë. 
 
Nga ana tjetër kreu i opozitës greke, Kirjakos Mitsotakis, duke folur për zërat e largimit të mundshëm të ministrit të brendshëm grek, Kamenos, nëse Parlamenti grek ratifikon Marrëveshjen e Prespës, ka deklaruar se Panos Kamenos është dashur që para shumë muajve të largohet nga Qeveria, nëse më të vërtetë dëshironte ta pengonte arritjen e Marrëveshjes së Prespës. 
 
“Me atë që qëndroi në Qeveri, i dha stilolapsin Aleksis Cipras ta nënshkruajë Marrëveshjen e Prespës, ndërsa sipas kësaj është plotësisht përgjegjës vetë ai”, ka thënë para bashkëpartiakëve Micotakis.
 
Ndërkohë, ish-ministrja e jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis, për televizionin grek “Sky” ka shprehur bindjen se kryeministri, Alexis Tsipras, ka siguruar 151 vota për Marrëveshjen e Prespës dhe nuk i nevojitet ndihma nga partneri i koalicionit, Panos Kammenos.
 
“Cipras ka siguruar shumicën e deputetëve për Marrëveshjen e Prespës dhe e ka sjellë në dëshpërim Kammenosin”,- tha Bakojani.
 
Ndryshe, për vizitë zyrtare në Athinë po qëndron kancelarja gjermane, Angela Merkel.
 
NAIM RAMADANI