Maqedoni

Së shpejti ndërtimi i autostradës Shkup – Bllacë, Osmani: Projekt strategjik edhe në aspekt ekonomik

11.01.2019 15:25

Pas një kohe të gjatë, më në fund projekti shumë i kërkuar, autostrada Shkup-Bllacë, do të fillojë të realizohet....

Muajin e ardhshëm do të shpallet tender për ndërtimin e pjesës së parë të autostradës  Shkup-Bllacë, kurse ndërtimet priten të fillojnë në tremujorin e dytë të vitit. Projekti është me rëndësi të madhe strategjike për shkak se afron dy shtetet edhe më shumë, por edhe zmadhon shkëmbimin tregtar. 
 
“Autostrada nga Shkupi në Bllacë prej 12.4 kilometrave bashkë me pjesën nga Bllaca në Prishtinë, bën distancën kohore ndërmjet Shkupit dhe Prishtinës nga dy orët e tanishme në vetëm 45 minuta, i bën Shkupin dhe Prishtinën dy qytetet më të afërta në rajon. Ky projekt është me rëndësi strategjike edhe për aspektin ekonomik, jo vetëm për ndërlidhje rajonale dhe politike. Kosova është tregu më i përshtatshëm ekonomik për Maqedoninë, duke pasur parasysh që shkëmbimi tregtar vjetor është gjysmë miliardë euro”,- tha zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.
 
Autostrada është në gjatësi prej 12.5 kilometrave, ndërtimi i së cilës do të kushtojë rreth 110 milion euro. Autostrada do të ndërtohet në dy faza, me qëllim që, siç thonë autoritetet, mos të humbet më shumë kohë me riprojektimin i cili duhet bërë.   
 
“Në gjithë trasenë jemi ballafaquar me probleme, me probleme të cilat kanë të bëjnë me shpronësimin e tokës dhe me projektin bazik për ndërtim. Është vërtetuar se është i nevojshëm riprojektim, për shkak të zhvendosjes së trasesë të projektit bazik dhe kjo duhet bërë, pasi me trasetë e parashikuara me projektin e vjetër dëmtohen kapacitetet industriale dhe varrezat e sapoformuara”,- tha ministri i transportit dhe lidhjeve, Goran Sugarevski.
 
“Pjesa e parë është në gjatësi prej 2 kilometrave dhe fillon nga kufiri në Bllacë, kurse mbaron në lidhjen me rrugën lokale që çon deri në fshatin Bllacë. Projekti infrastrukturor dhe projekti bazik për këtë pjesë veç më janë duke u punuar dhe pritet të mbarojnë në fund të muajit. Projekti infrastrukturor dhe bazik për pjesën e  dytë është më i vështirë për t’u punuar dhe për t’u ndërtuar për shkak se në të parashikohet ndërtimi i katër tuneleve në gjatësi prej rreth 4 kilometrave, tetë ura dhe objekte tjera të ndërtimit”,- tha drejtori i rrugëve të Maqedonisë, Zoran Kitanov.
 
Pjesa e parë e autostradës duhet të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm, kurse ndërtimi i plotë i autostradës pritet të përfundojë nga mesi i vitit 2023. Zëvendëskryeministri Osmani tha se emri i autostradës së re akoma nuk është përcaktuar, por në bisedat joformale me liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, është theksuar emri i Arbër Xhaferit, siç është emëruar edhe autostrada në Kosovë. Për këtë çështje, Osmani tha do të bisedohet shtesë në Qeveri.
 
ERSAN PAJAZITI