“Të shpëtojmë Kodrën e Diellit”, Sulejmani: Nesër protestojmë, bllokojmë rrugën
Nisma “Të shpëtojmë Kodrën e Diellit”, ka paralajmëruar për nesër protesta dhe bllokadë të rrugës.....

Nisma “Të shpëtojmë Kodrën e Diellit”, ka paralajmëruar për nesër protesta dhe bllokadë të rrugës që të çon nga Tetova në këtë qendër turistike, njofton “TVM2”.
Ditë më parë nga kjo nismë i dhanë afat qeverisë dhe kryeministrit Zaev që deri të shtunën të vizitojnë “Kodrën e Diellit” për të parë vetë se si po bojkotohet kjo qendër e rëndësishme turistike nga ndërmarrja që duhet të kujdeset për mbarëvajtjen e saj.
Nga qeveria tashëm janë përgjigjur rreth kësaj kërkese, duke përkujtuar se kryeministri Zaev është shumë i interesuar për bashkëpunim me shoqatat joqeveritare dhe për zgjidhjen e problemeve që ata shtrojnë, por në këtë moment agjenda e tij është e zënë për shkak të ndryshimeve kushtetuese që presin votat në kuvend.
“Deri sot nuk kemi paraqitje edhe pse ka disa spekulime se mund të ketë paraqitje dhe vizitë të kryeministrit. Ne nesër në 11 do të bllokojmë rrugën që lidh “Kodrën e Diellit” me Tetovën. Do të qëndrojmë aty dhe do dërgojmë edhe një herë ultimatum, që kryeministri përsëri të vijë të vizitojë këtë qendër turistike nga afër dhe të shohë problematikën çka bëhet atje dhe do të kërkohet nga institucionet që të marrin hapa për zhvillimin e kësaj qendër turistike”,- tha Hamdi Sulejmani nga Nisma “Të shpëtojmë Kodrën e Diellit”. (Visar Sadiki, TVM2)
