Ngec procedura për ndryshimin e emrave, shkollat do të përgatisin dokumentacion të ri

11.01.2019 16:31

Gjysmëvjetori i dytë pritet të fillojë së shpejti, por ende mbetet e pazgjidhur çështja e emërimit....

Gjysmëvjetori i dytë pritet të fillojë së shpejti, por ende mbetet e  pazgjidhur çështja e emërimit të dy shkollave fillore në Çair, njofton “TVM2”.

Pavarësisht ngecjeve në procedurën për emërimin e tyre, në hyrje të shkollave mbeten tabelat me emrat “Ismail Qemali” dhe “Imri Elezi”, por i gjithë dokumentacioni zyrtar udhëhiqet nën emrat “Rajko Zhinzifov” dhe “Nikolla Vapcarov”.

Gjatë gjithë kësaj kohe thuhej se procedura ka ngecur në Regjistrin Qendror, por nga ky i fundit janë arsyetuar se në dy vitet e kaluara askush nga institucionet përgjegjëse nuk ka shprehur interesim për të kuptuar më shumë se ku mbeti procedura e nisur për ndryshimin e emrave të shkollave në fjalë. Dhe procedura duket se duhet të nisë nga fillimi. Shkollat do të përgatisin dokumentacionin e ri, që me fillimin e gjysmëvjetorit të dytë.

“Do ta fillojmë procedurën për inicimin për ndërrimin e emrit dhe atë në afat më të shkurtër. Besoj se javën tjetër veç se fillojmë me mësim dhe do funksionojmë ashtu siç duhet dhe besoj se në një kohë më të shkurtër do të zgjidhet ky problem dhe jo të presim aq kohë të gjatë si deri tash që kemi pritur”,- tha drejtoresha e Sh. F. “Imri Elezi”, Merita Koxhaxhiku.

Nga komuna e Çairit thonë se do të mbështesin çdo nismë të këshillit të shkollave për procedurën e re nëse ajo do të jetë e nevojshme të bëhet përsëri.

ADEMI: EMRAT TË REFLEKTOJNË VULLNETIN E KOMUNITETIT

Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, mbetet në qëndrimin se emrat e shkollave duhet të reflektojnë vullnetin e komuniteteve që   jetojnë aty, por kjo çështje nuk duhet të jetë shkas për krijimin e tensioneve.

 MASh, sipas tij, ka filluar të zgjidh këto çështje që karakterizojnë arsimin, me ç’rast janë ndryshuar dy emra të shkollave në komunën e Dibrës. Ai konsideron se “Arsimi, objektet shkollore, emrat e shkollave dhe arsimimi i fëmijëve tanë nuk duhet të jetë çështje e politikave ditore dhe krijimit të tensioneve, por emrat e shkollave duhet të reflektojnë vullnetin e komunitetit ku gravitojnë vullnetin e kolektivit, nxënësve, prindërve e kështu me radhë, pa dashur që me ndonjë deklaratë të shkaktojë tension se me të vërtetë tensionet nuk i duhen arsimit”,- u shpreh ministri i arsimit, Arbër Ademi.

Rreth këtij problemi, në Regjistrin Qendror ka qindra dokumente të ndërsjella mes institucioneve përkatëse, por ende pritet epilogu  përfundimtar për ndryshimin e emrave. (Flutura Latifi, TVM2)