Marrëveshja e Prespës, Merkel: Me marrëveshjen fitojnë të gjithë
Marrëveshja e Prespës nuk sjellë dobi vetëm për “Maqedoninë e Veriut”....

Marrëveshja e Prespës nuk sjellë dobi vetëm për “Maqedoninë e Veriut”, e cila mund të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së, por është në dobi edhe të Greqisë dhe Evropës. Kështu deklaroi kancelarja gjermane, Angela Merkel, pas takimit me kryeministrin grek, Alexis Tsipras, gjatë qëndrimit në Athinë.
“Tani me emrin “Maqedonia e Veriut” për ne të gjithë, flas edhe për Gjermaninë, hap mundësinë që “Maqedonia e Veriut” të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s. Dhe kjo nuk është mirë vetëm për “Maqedoninë e Veriut”, por gjithashtu është mirë edhe për Greqinë, sepse me këtë qartësohen marrëdhëniet dhe rrumbullakimi i strategjisë sa i përket vendeve të Ballkanit. Për këtë arsye ne u japim vendeve të Ballkanit perëndimor perspektiva evropiane ngase me këtë procesi shtyhet përpara”,- tha kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.
TSIPRAS: MODEL PËR ZGJIDHJEN E PROBLEMEVE
Ndërkohë, kreu i qeverisë greke, Alexis Tsipras, marrëveshjen e cilësoi si model i cili mundëson stabilitet dhe zhvillim të rajonit.
“Marrëveshja e Prespës është hap i rëndësishëm përpara për stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e rajonit. Besoj se në të ardhmen në rajon, ky mund të jetë një model për marrëveshje të mundshme, marrëveshje të pranueshme dypalëshe për zgjidhje, sepse nëse nuk i imponohemi njëri-tjetrit ka mundësi që të ecet përpara”,- u shpreh kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjatë qëndrimit të saj në Athinë ka takuar edhe presidentin grek, Prokopis Pavlopulos. Ndryshe, vizita e Angela Merkelit në Athinë është shoqëruar edhe me protesta. (Naim Ramadani, TVM2)
