Rikonstruohet Sh. F. “Vasill Gllavinov”, MASh - 2.4 milion denarë për investime kapitale

11.01.2019 17:06

Në Shkollën Fillore “Vasill Glavinov” po punohet intensivisht në rikonstruimin e jashtëm....

Në Shkollën Fillore “Vasill Glavinov” po punohet intensivisht në rikonstruimin e jashtëm, e brendshëm dhe sanimin.

Nga MASh thonë se janë të përkushtuar maksimalisht për përmirësimin e infrastrukturës së kësaj shkolle dhe krijimin e kushteve bashkëkohore për 900 nxënësit që vijojnë mësimin në këtë shkollë dhe që u përkasin të gjitha bashkësive etnike, transmeton “TVM2”.

“Vlera e këtyre punimeve arrin në 14 milion e 700 mijë denarë dhe përfshin rekonstruimin e 3 blloqeve, duke përfshirë edhe sanimin e tërësishëm, të brendshëm dhe sanimin e instalimeve të rrymës elektrike. Pas përfundimit të punimeve vijon furnizimi tjetër publik, rikonstrumi i bllokut të fundit dhe sallës sportive. MASh ka ndarë mjete edhe për ndërtimin e kulmit të ri të kësaj shkolle, që është mbi 10 milion denarë”,- theksoi ministri i arsimit dhe shkencës, Arbër Ademi.

“Në shkollën tonë po punohet me një dinamikë të madhe dhe për këtë dua ta falënderoj MASh-in dhe kryetarin e komunës për angazhimin që edhe shkolla jonë të ketë kushte evropiane, të mësohet në kushte më të mira”,- tha drejtori i Sh. F. “Vasill Gllavinov”, Qamuran Kuçi.

Ministri Ademi po ashtu thekson se investimet kapitale do përfshijnë të gjitha nivelet e arsimit.

“Vetëm për arsimin fillor, të mesëm dhe konviktet janë investuar mbi 1 miliard e 30 milion denarë. Vetëm për arsimin e mesëm kemi paraparë buxhet prej 383.5 milion denarësh, nëse punimet vazhdojnë sipas dinamikës së paraparë që e ka karakterizuar gjysmën e dytë të vitit 2018, jam optimist se realizimi i investimeve kapitale do të jenë në nivel të kënaqshëm”,- theksoi ministri i arsimit, Arbër Ademi.

Për investime tjera kapitale kanë nevojë edhe shkollat tjera që gravitojnë në komunën e Çairit, vlerëson kryetari, Visar Ganiu, i cili thotë se komuna ka përpiluar dokumentacionet e nevojshme.

“Kemi konkurruar apo aplikuar me disa kërkesa për palestra sportive dhe jemi në bisedime dhe mendoj që në vitin 2019 edhe do të realizohen. Ne si komunë i kemi marrë të gjitha masat dhe parapërgatitjet për përpilimin e dokumentacionit”,- u shpreh kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.

Nga MASh potencojnë se për investimet kapitale për këtë vit do të ndahen 2.4 miliard denarë dhe do përfshijnë arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë, si dhe konviktet e nxënësve dhe studentëve. (Flutura Latifi, TVM2)