2019-a, vit i reformave në drejtësi, Deskoska: VMRO të përkrahë Ligjin për anti-korruptim

11.01.2019 17:51

Kërkesat e VMRO-DPMNE-së për propozim Ligjin për parandalimin e korruptimit....

Kërkesat e VMRO-DPMNE-së për propozim Ligjin për parandalimin e korruptimit janë të papranueshme pasi dëmtojnë cilësinë e ligjit, pengojnë parandalimin e korruptimit dhe janë në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit Evropian. Ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, u bën thirrje deputetëve të VMRO-DPMNE-së që të heqin dorë nga kërkesat e tyre dhe të mbështesin propozim ligjin për parandalimin e korruptimit, i cili është në procedurë parlamentare.

“Edhe një herë apeloj që të përshpejtohet procedura, të heqin dorë nga amendamentet të cilët seriozisht do ta rrezikojnë cilësinë e ligjit dhe së bashku të miratojmë ligj evropian, konform standardeve dhe rekomandimeve të KE-së”,- tha ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska.

VMRO-DPMNE kërkon heqjen e kushtit për ndalesë të politizimit të anëtarëve të Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, ose heqjen e pengesës për kandidatët të cilët kanë qenë politikisht aktivë në periudhën e kaluar ose që kanë qenë donatorë të partive politike.

SPECIALJA, NË KUADËR TË PROKURORISË PUBLIKE

Opozita kërkon që tërhiqet kompetenca e Komisionit që të ketë qasje në xhirollogaritë e funksionarëve si dhe të mos ketë kontrollin në financimin e partive politike, sqaroi Deskoska. Ajo paralajmëroi edhe ndryshimin e Ligjit për prokurori publike, ku çështje kryesore është rregullimi i statusit të PPS-së.

“Konsideroj se partitë politike duhet të japin përkrahje për të mbajtur kapacitetin e PPS-së dhe kompetencave të saj, duke pasur parasysh se në periudhën e kaluar është investuar në trajnimin dhe edukimin e kësaj prokurorie dhe gjithmonë mund të paraqiten arsye për ekzistimin e një prokurorie speciale, e cila do të ketë garanci të caktuar për pavarësi dhe vendimmarrje autonome. PPS është shembull që dha rezultate dhe duhet ta mbajmë”,- tha ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska.

Deskoska kërkoi mbështetjen e opozitës edhe për miratimin e pakos së ligjeve që kanë të bëjnë me gjyqësinë, përkatësisht mbështetje për Ligjin për gjykatat, i cili e ka mbështetjen e Komisionit të Venecias dhe Ligjin për kundërvajtje, i cili parasheh uljen e dënimeve dhe gjobave për qytetarët dhe firmat. (Shpëtim Nuredini, TVM2)