Epidemia e fruthit, angazhohet edhe MASh- i, Ademi: Se a fillon mësimi në kohë, varet nga situata
Me gjendjen të cilën e ka kapluar Republikën e Maqedonisë nga epidemia e fruthit....

Me gjendjen të cilën e ka kapluar Republikën e Maqedonisë nga epidemia e fruthit, është angazhuar edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, njofton “TVM2”.
Sipas ministrit të arsimit dhe shkencës, Arbër Ademit, në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Punës dhe Politikës Sociale për gjendjen aktuale në teren, do të vendosin nëse eventualisht do të ketë vonesë të mundshme për gjashtëmujorin e dytë të vitit akademik 2018/2019, që duhet të fillojë më 21 janar.
“Ne jemi duke i ndjekur me seriozitet të madh të gjitha zhvillimet të cilat kanë të bëjnë me fruthin dhe jemi në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, si institucione kompetente, përkatëse, përfshirë institucionet arsimore dhe institucionet paraarsimore. Në varësi prej situatës konkrete do të ndërmarrim edhe masa konkrete. Në ligjin aktual për arsimin fillor parashihet vaksinimi dhe me rastin e regjistrimit të nxënësve në arsimin fillor duhet nga prindërit të paraqitet dëshmi se fëmija i tyre i cili regjistrohet në shkollë fillore është i vaksinuar”,- tha ministri i arsimit dhe shkencës, Arbër Ademi.
Epidemia e fruthit filloi në mes të dhjetorit të vitit të kaluar në një kopsht fëmijësh në Radishan dhe më pas u përhap në disa komuna të Shkupit. Për momentin janë regjistruar 7 raste të reja.
Deri dje, sipas autoriteteve shëndetësore, gjithsej 22 persona u shtruan në spital në Klinikën Infektive. Nga këto, 13 janë ende në spital dhe 9 janë lëshuar për trajtim shtëpiak. (Sedat Selimi, TVM2)
