Gjykata Penale pranoi aktakuzën e PSP-së për rastin “Talir”
Gjykata Penale pranoi aktakuzën e PSP-së në rastin “Talir”....

Gjykata Penale pranoi aktakuzën e PSP-së në rastin “Talir”, që ka të bëjë me financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE-së si person juridik, njofton “TVM2”.
Përveç partisë, aktakuza u pranua edhe për të akuzuarit, Nikolla Gruevskin, Mile Janakieskin, Kiril Bozhinovskin, Ilija Dimovskin dhe Leko Ristoskin. Elizabeta Çingarovska e ka pranuar fajin dhe është arritur marrëveshje me PSP-në. Ajo është dënuar dy vjet me kusht.
“Pas formimit të lëndës penale, pas aktakuzës së vlerësuar, e njëjta sipas sistemit AKMIS do t’i ndahet një gjykatësi për procedim të mëtejmë dhe pas seancës kryesore të caktuar, palët dhe publiku do të njoftohen në kohë”, – theksuan nga Gjykata Penale.
PSP-ja, Gruevskin, Janakieskin dhe Bozhinovskin i akuzon për bashkim kriminal dhe për pastrim parash, ndërsa Ilija Dimovski dhe Leko Ristoskin i ngarkon vetëm për pastrim parash. Ndaj akuzës së ngritur reagoi VMRO-DPMNE-ja. Rasti “Talir” për ta është një konstruktim politik.
“Aktakuza e fabrikuar për rastin “Talir”, e cila sipas informacioneve në media është pranuar nga Gjykata Penale, është edhe një tjetër përpjekje për presion të ashpër politik, për heshtjen brutale të VMRO-DPMNE-së në prag të ndryshimeve kushtetuese, për të ndryshuar emrin dhe identitetin. PSP, sipas direktivës së pushtetit, krijon mekanizma për negociata, shantazh dhe presion ndaj VMRO-DPMNE-së, për të pranuar ndryshimet kushtetuese, që me asnjë çmim nuk janë të pranueshme për ne”,- theksoi sekretari i përgjithshëm i VMRO–DPMNE-së, Igor Janushev.
PSP për rastin “Talir” ngriti dy akuza. E dyta ka të bëjë me ndërtimin e paligjshëm të selisë së partisë. Për këtë akuzë, gjykata ende nuk ka marrë vendim nëse do ta pranojë atë. (Sedat Selimi, TVM2)
