Maqedoni

Liderët e partive shqiptare: U konfirmua perspektiva e qartë euroatlantike

12.01.2019 16:58

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti me një letër me anë të një deklarate me shkrim ka vlerësuar se sot është një ditë e re për vendin...

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti me një letër me anë të një deklarate me shkrim ka vlerësuar se sot është një ditë e re për vendin, dhe se përpjekja për të ndryshuar emrin rezultoi me sukses.
 
“Sot lindi ditë e re, me perspektivë të qartë dhe të palëkendur euroatlantike, jo vetëm për Maqedoninë, por për të gjithë rajonin. Ne u angazhuam gjatë për të ardhur deri tek kjo ditë, mohuam shumë pritje tjera, lamë anash kërkesa të shumta, nuk adresuam nevoja të tëra, vetëm e vetëm për të arritur deri te kjo ditë që e përfundon një konflikt gati tre dekadësh që na mbante peng. Por ky nuk është fundi, ky është vetëm fillimi. Ky është fundi i konflikteve, i mossmarëveshjeve, i paqartësive, i paparashikueshmërisë, ky është fillimi i fundit të pasojave Parisiane nga viti 1919”, thekson Ahmeti.
 
Mirënjohje e thellë ju takon edhe miqve tanë në Bruksel, Washington, Berlin, Paris, Londër, Romë, Vienë dhe në të gjitha vendet aleate të komunitetit euro-amerikan sepse këtë shteg e bëmë bashkë, këtë lartësi e ngjitëm dorë për dore dhe e arritëm majën, tha Ahmeti duke vlerësuar se tanimë është koha për NATO dhe për Shtetet e Bashkuara të Evropës. 
 
Aleanca për Shqiptarët nëpërmjet një komunikate për media ka theksuar se kjo parti jo vetëm që ka mbështetur por ka qenë pjesë përbërëse e Ndryshimeve Kushtetuese, duke përkrahur referendumin dhe duke votuar në Kuvend për Marrëveshjen e Prespës.
 
“Si opozitë konstruktive, ne kemi siguruar që fryma e Kushtetutës të promovojë barazinë e plotë midis të gjitha komuniteteve në vend, duke mbrojtur në të njëjtën identitetin e shqiptarëve në dispozitat që lidhen me preambulën e shtetit dhe me çështjen e shtetësisë. Aleanca për Shqiptarët gjithashtu në kuadër të ndryshimeve kushtetuese arrti të bëj ndryshim në Ligjin Kushtetues me ç’rast edhe juridikisht Maqedonia Veriore kufizohet me Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën e ASH.
 
Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami, përmes një postimi në Facebook ka vlerësuar se ka qenë proces i vështirë që u përmbyll me sukses.
 
”Pas një periudhe shumë të vështirë negociatash për ndryshimet kushtetuese, sot përfundimisht mund të deklaroj se këtë proces e përmbyllëm ne sukses. Për her të parë një parti opozitare shqiptare arrinë një marrëveshje dinjitoze me qeverinë”, vlerëson Kasami.
 
Ndërsa kryetari i krahut tjetër të BESËS që është në pushtet Afrim Gashi ka vlerësuar se: “Interesi jonë, edhe etnik edhe shtetëror, por edhe më gjerë në suaza gjeopolitike, realizohet dhe përputhet me implementimin e këtyre ndryshimeve kushtetuese”. 
 
Derisa sipas kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçi vlerëson se “Obligim i gjithë deputetëve shqiptarë ishte që ta betonojmë rrugën e shqiptarëve dhe Maqedonisë drejt NATO-s. Në këtë proces morën pjesë shumë individë, parti politikë dhe Qeveria, por meritorë është bashkësia ndërkombëtare, e cila na ka pru deri në këtë situatë. Tash do të jetë e lehtë, një situatë e relaksuar dhe shumë më shpejt do të ecim drejt NATO dhe BE”, vlerëson lideri I PDSH-së Thaçi. 
 
ZEKIRIJA MEXHITI