Maqedoni
Bilalli: Korrupcionin duhet luftuar edhe me mentalitet
13.01.2019 17:22
Ligji për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit është kthyer në Kuvend me flamur evropian...

Miratimi i tij në kuvend dhe formimi i komisionit që lufton këtë dukuri është shumë i rëndësishëm vlerson profesoresha universitare Arta Bilalli por sipas saj lufta kundër korrupcionit nuk duhet të ngelet vetëm në duart e tyre.
“Çështja e luftimit të korrupciopnit nuk duhet lënë vetëm në duart dhe fatin e anëtarëve të komisionit kushdoqofshin ata. Luftimi i korrupcionit poashtu nuk është vetëm punë e ligjit. Në kohën e aferave të mëdha korruptive që janë të njohura për opinionin ligj ka pasur por i njejti nuk ka funksionuar. Në këtë drejtim mendoj se nëse mentaliteti i individëve i shërben korrupcionit nuk ka ligj që mund ta luftojë atë”, u shpreh profesoresha universitare Arta Bilalli.
Përfitimet nga kjo dukuri janë individuale dhe afat shkurtëra ndërsa lufta kundër saj është në shërbim të plotë të shoqërisë thotë Bilalli.
“Korrupcionin duhet ta luftojë çdo individ në shoqëri dhe duhet të kuptojmë se në afat të shkurtër me anë të tij ne mund të përfitojmë diçka apo qeveritarë të ndryshëm dhe individ të ndryshëm që… se korrupcioni është i dyanshëm nuk është i njëanshëm mund të përfitojnë diçka por në afat të gjatë ai është jashtzakonisht i dëmshëm për shoqërinë apo për komunitetin dhe pamundëson që të përmirësohen apo avansohen kushtet e jetës për gjeneratat e ardhshme”, theksoi Bilalli.
Ligji për parandalimin e korrupsionit pritet të kalojë me procedurë të përshpejtuar.
Siç njoftoi qeveria Ligji është kthyer në Kuvend me flamur evropian për arsye se tash më është dhënë mendim pozitiv nga Bashkimi Evropian për propozim ligjin në fjalë.
NAIM RAMADANI
