Komisioni për Sistem Politik pranon nismën e Petrovit për referendum të ri
Me tetë vota “pro” dhe një “të përmbajtur”, Komisioni për Sistem Politik....

Me tetë vota “pro” dhe një “të përmbajtur”, Komisioni për Sistem Politik ka pranuar iniciativën e Todor Petrovit për mbledhjen e nënshkrimeve për shpalljen e një referendumi të ri për emrin, me pyetjen: “A jeni për Republikën e Maqedonisë së Veriut?”.
Dorëzuesi i iniciativës për referendum të ri tha se iniciativa është ligjore, e ngritur me propozim të 179 qytetarëve dhe i përmbush të gjitha kushtet nga Ligji për referendum.
“Për fat të keq me ndryshimin e Kushtetutës më 11 janar të vitit 2019, me amendamentin e 33 që nuk është në fuqi, është bërë tentim për ndryshim të emrit për të zbatuar Marrëveshjen mes Dimitrovit dhe Kotziasit, e cila “de jure” nuk ekziston”,- tha iniciuesi i referendumit, Todor Petrov.
Deputeti, Samka Ibraimovski, tha se prapa kësaj iniciative qëndron VMRO-DPMNE.
“Si deputet në kuvend me përgjegjësi them se nuk duhet të lejojmë ekskursione siç duan disa, përkatësisht kjo është me mbështetje të VMRO-DPMNE-së, patjetër të jemi të qartë dhe e dimë qëllimin”,- u shpreh deputeti, Samka Ibraimovski.
Nga ana tjetër, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Zoran Iloski, theksoi se iniciativa është në rregull dhe se nuk duhet të hapet debat, por deputetët të përqendrohen në atë se a është në rregull sipas ligjit iniciativa.
“Unë nuk shoh diçka të diskutueshme. Si iniciativë është në rregull dhe ne si komision në këtë moment nuk mundemi të hapim debat ndryshe nga ky fakt”,- theksoi Zoran Iloski nga VMRO-DPMNE.
Nëse kryeparlamentari, Talat Xhaferi, jep mendim se iniciativa e Petrovit është në rregull, pasi që ta njoftojë Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, iniciatori ka afat prej 3 muajve që të mbledh nënshkrimet. (Naim Ramadani, TVM2)
