Maqedoni
Marrëveshja e Prespës, Cipras: me suksese edhe përkundër krizës politike. Votëbesimi i Qeverisë greke, Sanakopulos: do ta fitojmë votëbesimin
14.01.2019 17:12
Kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras, është zotuar se do ta mbyll me sukses Marrëveshjen e Prespës...

Kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras, është zotuar se do ta mbyll me sukses Marrëveshjen e Prespës edhe në palën greke edhe përkundër krizës politike që doli me partnerit e koalicionit, Kamenos.
Duke folur mbrëmë në konferencën për Marrëveshjen e Prespës, Cipras tha se me vendosmëri do t’i shkojë deri në fund procedurës edhe pse qeveria e tij po ballafaqohet me politika destruktive.
“Më lejoni t’i uroj kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, për guximin që e tregoi që nga fillimi e deri në fund të këtij procesi. T’i uroj sepse nuk hoqi dorë para protestave nacionaliste të urrejtjes të cilat atje i organizonte VMRO-ja. Dëshiroj të bëj një porosi deri tek qytetarët e Greqisë dhe në veçanti tek secili qytetar i Greqisë që mendon i lirë, pa marrë parasysh bindjeve personale politike. Siç nuk u tërhoqën ata, ashtu edhe ne nuk do të tërhiqemi dhe këtë e them sepse edhe ne u ballafaquam dhe ballafaqohemi me plane për politikë destabilizuese”,- tha kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras.
Dorëheqja e ministrit Kamenos shkaktoi votëbesimin ndaj qeverisë Cipras, që do të mbahet ditën e mërkurë pas një debati dyditor të propozuar nga kryetari i kuvendit grek.
Në mënyrë që të kalojë testi i votëbesimit, qeveria Cipras duhet të sigurojë një numër minimal prej 151 vota, me qëllim që të vazhdojë qeverisja e qëndrueshme.
Ministrja e kulturës Kondura dhe ai i bujqësisë, Kokalis, nga Grekët e Pavarur, kanë siguruar votëbesimin ndaj kryeministrit Cipras.
Zëdhënësi i qeverisë Sanakopulos për televizionin grek Alfa ka thënë se qeveria do ta fitojë votëbesimin dhe do të vazhdojë ta udhëheq shtetin.
Pritet të rritet numri i përkrahjes edhe nga deputetë të tjerë, thonë mediat greke. Syriza e kryeministrit grek Cipras numëron 145, ndërkaq momentalisht Marrëveshjen e Prespës hapur e mbështesin një deputetë nga Grekët e Pavarur dhe deputeti Danelis nga Potami.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
