Maqedoni
Zgjedhjet presidenciale, Xhaferi: Raundi i parë mbahet më 21 prill
15.01.2019 17:24
Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni mund të mbahen më 21 prill. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi....

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni mund të mbahen më 21 prill. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, deklaroi se në bazë të afateve më së voni deri më 8 shkurt si kryetar i Kuvendit është i obliguar t’i shpall zgjedhjet presidenciale.
“Sipas afateve, duke pasur parasysh faktin që mandati i kryetarit aktual skadon më 12 maj dhe më 12 maj duhet të inaugurohet kryetari i ri, në bazë të afateve që i sanksionon neni 12 i Kodit Zgjedhor, në fakt, zgjedhjet shpallen jo më gjatë se 90 ditë dhe jo më shkurt se 70 ditë nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve. Në koordinim me subjektet politike, fillimisht jemi të mendimit që rrethi i parë i zgjedhjeve të mbahet më 14 prill dhe rrethi i dytë të mbahet më 28 prill, por për faktin se 28 prilli korrespondon me festën fetare Pashkët, sugjerimi është raundi i parë të mbahet më 21 prill, kurse raundi i dytë të mbahet më 5 maj”,- tha kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi.
Së bashku me zgjedhjet presidenciale do të mbahen edhe zgjedhjet lokale në tre komunat të cilat aktualisht janë pa kryetarë.
“Për shkak të shkarkimit të njërit nga kryetarët e komunave dhe për shkak që kanë ndërruar jetë dy kryetarë të tjerë, të Ohrit dhe të Dibrës, Parlamenti ka për obligim që në afat të caktuar të shpallë zgjedhje lokale dhe për këtë arsye unë jam duke i planifikuar edhe afatet që në të njëjtën kohë të kryhen edhe zgjedhjet lokale për këto tre komuna, pra Dibra, Ohri dhe Novo Sella”,- theksoi kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi.
Xhaferi gjithashtu theksoi se deri më 12 maj duhet të bëhen të gjitha përgatitjet dhe të gjitha vendimet paraprake që burojnë nga KShZ, në mënyrë që kryetari i ri të pajiset me vërtetim për zgjedhje të tij dhe 12 maj të korrespondon me seancën festive inauguruese.
ZEKIRIJA MEXHITI
