Maqedoni
Hyn në fuqi Ligji për shqipen, Xhaferi: Veprova konform kompetencave
15.01.2019 17:58
Ligji për përdorimin e gjuhëve hyri në fuqi.....

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, vendosi t’u japë fund pritjeve të gjata, që presidenti Ivanov të respektojë detyrimet kushtetuese dhe të dekretojë ligjin. Një ditë më parë, Xhaferi dekretoi Ligjin dhe e dërgoi në Gazetën Zyrtare me nënshkrimin e tij, ndërsa Ivanov përfundoi si fusnotë.
“Mbrëmë, unë, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, në kuadër të kompetencave të mia kushtetuese, nën shkrova dy dekrete të cilat mandej bashkë me tekstet përkatëse i dërgova për publikim në Gazetën Zyrtare. Dekreti i parë është dekreti për shpalljen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, të cilin kuvendi i RM-së e nxori në seancën e mbajtur më 14 mars të vitit 2018 dhe i njëjti hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Për BDI-në, me hyrjen në fuqi të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni arrihet barazia gjuhësore.
“Më në fund arritëm ta rrumbullakojmë pjesën normative të Marrëveshjes paqësore të Ohrit me miratimin dhe shpalljen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, me ç’rast e arritëm barazinë gjuhësore në RM në përputhje me Kushtetutën dhe premtimet tona programore”,- tha deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
Edhe LSDM përshëndet shpalljen e Ligjit në Gazetën Zyrtare. Sipas tyre, ligji është në frymën e ndërtimit të një shoqërie për të gjithë.
“Duhet ta respektojmë vullnetin e qytetarëve. Duhet të respektojmë të drejtat e qytetarëve. Maqedoninë, përfundimisht, duhet ta ndërtojmë si një shoqëri për të gjithë. Ne si LSDM besojmë fuqishëm në këtë gjë, pasi kështu u japim fund ndarjeve, nacionalizmit dhe do ta ndërtojmë Maqedoninë si një shoqëri për të gjithë”,- u shpreh zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
Mirëpo, shpallja e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, pa nënshkrimin e presidentit Ivanov, është kundërshtuar ashpër nga vetë presidenti dhe partia e tij amë, VMRO-DPMNE. Sipas partisë së Mickovskit, akti është antikushtetues dhe anti-ligjor, ndërsa Xhaferi ka keqpërdorur detyrën zyrtare.
“VMRO-DPMNE do të parashtrojë padi penale kundër Talat Xhaferit dhe drejtorit të Gazetës Zyrtare. Por, edhe kundër të gjithëve për të cilët do të konstatohet përgjegjësi se e kanë shkelur ligjin për shpalljen e Ligjit për “dygjuhësi” pa nënshkrimin e kryetarit të shtetit”,- theksoi sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev.
Sipas presidentit Ivanov, dekretimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë janë antikushtetuese dhe antiligjore dhe vënë në sprovë Gjykatën Kushtetuese dhe gjyqësinë.
“Ky është moment që do të dëshmojë nëse në RM ekziston Gjykatë Kushtetuese, nëse funksionon Prokuroria, nëse ka gjyqësi të pavarur dhe nëse ekziston sundimi i ligjit”,- thuhet në reagimin me shkrim të presidentit. Ai madje pyet faktorin ndërkombëtar nëse do të përkrahë këtë mënyrë të miratimit të ligjeve, të cilat ai i konsideron si precedente.
SHPËTIM NUREDINI
