Maqedoni
Putin: SHBA-të po e destabilizojnë Ballkanin
16.01.2019 11:35
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara janë duke destabilizuar Ballkanin, duke treguar “rol dominues” në këtë rajon....

Putin i ka bërë këto komente në gazetat serbe “Veçernje”, “Novosti” dhe “Politika”, të publikuara më 15 janar, në prag të vizitës së tij në Serbi. Komentet e presidentit rus janë publikuar edhe në faqen online të Kremlinit. Në deklaratat e tij është theksuar edhe një herë lidhja e ngushtë historike e Moskës me Serbinë, si dhe paralajmërimi për ndikimin perëndimor.
Komentet e tij kanë qenë në kundërshtim me paralajmërimet nga Uashingtoni dhe nga disa vende evropiane që janë të shqetësuara për tentimet e Rusisë që ta destabilizojë rajonin, duke përfshirë Malin e Zi, Bosnjë Hercegovinën dhe Maqedoninë. Në këto intervista, Putin ka rikujtuar edhe bombardimet e NATO-s në Serbi më 1999 gjatë luftës në Kosovë, si dhe pavarësinë e Kosovës.
“Për aq kohë sa situata në Ballkan është shqetësuese, politika e Shteteve të Bashkuara dhe disa kombeve perëndimore që tregojnë rolin e tyre dominant, vazhdon të jetë faktor serioz i destabilizimit”,- është cituar të ketë thënë Putin. Putin nis vizitën në Serbi më 17 janar.
