Maqedoni

Putin: ShBA-të po destabilizojnë Ballkanin. Qeveria: qëllimi ynë i qartë, anëtarësimi në NATO e BE

16.01.2019 16:04

Presidenti rus, Vladimir Putin, akuzon Shtetet e Bashkuara se po destabilizojnë Ballkanin, duke “shpallur rolin e tyre dominues” në rajon...

Akuzat u bënë një ditë para vizitës në Beograd të shefit të Kremlinit, në intervistat për gazetat serbe “Vecernje Novosti” dhe “Politika” dhe u  pasqyruan edhe nga faqja zyrtare e Kremlinit.
 
Ndër të tjera, Putin thotë se amerikanët imponuan arritjen e Marrëveshjes së Prespës për emrin e ri të Maqedonisë, përkundër vullnetit të shumicës. Sipas tij, ndryshimi i emrit të Maqedonisë ka si qëllim kryesor anëtarësimin e vendit në NATO. 
 
“Për sa kohë që situata në Ballkan është shqetësuese, politika e Shteteve të Bashkuara dhe disa kombeve perëndimore, që synojnë të shpallin rolin e tyre dominues, mbetet një faktor serioz destabilizimi këtu.  Ne e kemi thënë vazhdimisht se gjithmonë e kemi parë politikën e zgjerimit të NATO-s si reminishencë të Luftës së Ftohtë dhe një strategji të gabuar dhe destruktive ushtarake dhe politike. Mali i Zi u tërhoq zvarrë drejt anëtarësimit në NATO. Si pasojë, vendi po kalon tashmë një periudhë destabiliteti politik”,- është shprehur shefi i Kremlinit.  
 
Nga Qeveria nuk kanë dashur të komentojnë deklaratën e Putinit. Zëdhënësi Hoxha potencon vetëm se Maqedonia i ka të qarta qëllimet e saj. 
 
“Ne nuk dëshirojmë të komentojmë qëndrime apo intervista të personaliteteve të ndryshme, por dëshirojmë të theksojmë se qeveria e RM-së mbetet e përkushtuar në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO dhe BE. Me ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës dhe me ratifikimin e së njëjtës nga Parlamenti grek, presim që Republika e Maqedonisë të bëhet anëtare e 30 e NATO-s dhe të fillojmë negociatat me BE-në”,- tha zëdhënësi i qeverisë, Muhamet Hoxha.
 
Uashingtoni dhe aleatët e tjerë europiano-perëndimorë kanë akuzuar në vazhdimësi Rusinë se po përpiqet të destabilizojë rajonin me ndërhyrjet në Malin e Zi, në Bosnjë Hercegovinë dhe Maqedoni. 
 
ERSAN PAJAZITI