Maqedoni

Rasti “TNT”, Canovski kërkon 40 mln euro dëmshpërblim

16.01.2019 16:15

Pronari i Kompleksit të rrënuar “Kosmos”, Fiat Canovski, kërkon dëmshpërblim nga shteti në vlerë prej 40 milion euro...

Në gjykimin e radhës për Rastin “TNT”, Canovski tha se rrënimi i këtij objekti ka qenë kryekëput për shkaqe politike e jo për parregullsi gjatë ndërtimit të tij. 
 
Gjykimi për këtë rast, i cili ndodhet në procedurë dëshmuese, vazhdoi me leximin e dëshmive të dëshmitarëve, Meri Stançevska, e cila ende është e pakapshme për organet e rendit, si dhe nga Trajko Trpevski, i cili ka ndërruar jetë në korrik të vitit të kaluar e që janë pronarë dhe të punësuar në një pjesë të firmave të cilat kanë rrënuar objektin e Canovskit. 
 
PSP në rastin “TNT” akuzon gjithsej 7 persona, në mesin e të cilëve ish kryeministrin në arrati, Nikolla Gruevskin, ish ministrin për transport dhe lidhjen Mile Janakievskin, dhe ish kryetarin e komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovskin.
 
Prokurorët specialë më herët u deklaruan se kjo vepër penale është rezultat i hakmarrjes për motive politike dhe me këtë kanë dëmtuar biznesmenin “Canovski” me rreth 16 milion euro.
 
REXHEP QAMILI