Maqedoni
Ligji për parandalimin e korrupsionit, Deskoska: ka dritë jeshile nga KE, përkraheni. VMRO-DPMNE: vunë flamur europian për të ndalur debatin. LSDM: nuk do të mbetemi peng i tekave të VMRO-së
16.01.2019 17:49
Me 84 vota “pro” dhe asnjë “kundër”, Kuvendi e futi në procedurë të shkurtër miratimin e Ligjit për parandalimin e korrupsionit...

Ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, deklaroi se bëhet fjalë për propozim-ligj që ka marrë dritë jeshile nga KE.
Ajo ftoi deputetët ta mbështesin miratimin e tij, pasi që vendin e presin zgjedhjet presidenciale.
“Ligji që ndodhet para jush u dorëzua për ekspertizë deri te Komisioni Evropian dhe morëm mendim pozitiv. Duke marrë parasysh se bëhet fjalë për ligj me rekomandime evropiane, unë jam e vetëdijshme se disa individë dhe parti politike kanë frikë për disa zgjidhje të caktuara, veçmas në lidhje me problemin e financimit të partive. Ju bëj thirrje që ta përkrahim nevojën për ligjin dhe kështu në zgjedhjet presidenciale apo parlamentare të kemi Komisioni për Anti-Korrupsion, i cili do ta ndjekë financimin e fushatave”,- tha ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska.
Nga VMRO-DPMNE kanë akuzuar pushtetin se po përpiqen që ta kalojë ligjin pa debat, teksa thonë se do të përpiqen që ta përmirësojnë tekstin e ligjit nëpërmjet amendamenteve. Por, LSDM tha se me VMRO-në është debatuar rreth propozim tekstit dhe janë harmonizuar në masë të madhe qëndrimet, por nuk mund të mbeten peng i kërkesave të saj.
“LSDM-ja dhe Qeveria me dhunë dhe me vënien e flamurit evropian në propozim ligj dëshirojnë ta kalojnë Ligjin për anti-korrupsion dhe konflikt interesi dhe me këtë të pamundësojnë debatin mbi ligjin. Amendamentet e VMRO-DPMNE-së të cilët janë thelbësorë dhe do të pengojnë që ky trup të shndërrohet në vegël të një subjekti politik”,- theksoi Ana Lashkova nga VMRO-DPMNE.
“Rreth 30 amendamente që VMRO-DPMNE i ka deponuar, kemi harmonizuar pjesën më të madhe prej tyre. 5 apo 6 amendamente nuk kishte asnjë mundësi që të harmonizohen sepse ndryshonin konceptin e ligjit. Ne nuk mund të bëhemi peng i sjelljes së VMRO-DPMNE-së”,- tha Jovan Mitrevski nga LSDM.
Propozim teksti është dorëzuar për shqyrtim në komisionet amë. Komisioni për Anti-korrupsion ka 11 muaj që nuk është funksional, pasi që anëtarët e saj paraprak dhanë dorëheqje si rezultat i presionit publik, pas publikimit të raport revizional për keqpërdorime.
NAIM RAMADANI
