Maqedoni
Ligji i gjuhëve, VMRO fton institucionet të bojkotojnë dygjuhësinë. LSDM: asgjë s’mund të ndalojë bashkëjetesën
16.01.2019 18:00
VMRO-DPMNE fton institucionet të bojkotojnë zbatimin e Ligjit të gjuhëve në nivel qendror dhe vendor...

Sipas opozitës, ligji është i dëmshëm për shoqërinë, por edhe në kundërshtim me Kushtetutën. VMRO konsideron se dygjuhësia do të bllokojë institucionet të cilat në vend që të kryejnë punën, do të duhet të përkthejnë dhe mbajnë arkiva të dyfishta, duke i kushtuar shtetit: kohë, vend, resurse njerëzore dhe para.
“VMRO-DPMNE fton të gjitha institucionet në nivel qendror dhe vendor të injorojnë dhe bojkotojnë zbatimin e këtij ligji antikushtetues dhe të dëmshëm. Nëse përgjegjësit e institucioneve përballen me çfarëdo problemesh apo kërcënimesh, VMRO-DPMNE dhe Komisioni Juridik u qëndrojnë në dispozicion për ndihmë juridike”,- tha Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
LSDM akuzat e tilla i konsideron si përpjekje për të rrënuar konceptin qeveritar: një shoqëri për të gjithë. Nga partia e Zaevit mbështesin ligjin dhe apelojnë të mos krijohen ndasi.
“Asgjë s’mund të ndalojë bashkëjetesën në Maqedoni dhe qytetarët, politikanët, partitë politike nuk guxojnë të lejojmë ndasi të tjera nacionaliste. Në Maqedoni s’guxon të ketë mbjellje të nacionalizmit dhe fjalorit të urrejtjes. Po kthejmë një faqe të re të historisë dhe të gjithë do të fokusohemi në integrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO”,- theksoi Konstadin Konstadinov nga LSDM.
Socialdemokratët konsiderojnë se me Ligjin e gjuhëve nuk humb askush, por mundësohet komunikim më i mirë i qytetarëve me institucionet, pa cenuar gjuhën maqedonase.
MERAL ISMAILI
