Maqedoni

Arratiset sulmuesi i Selës, policia nuk e gjen në shtëpi Vojminovskin. ASh: burgjet për shqiptarët, të tjerët ikin e amnistohen

16.01.2019 18:11

Nikolla Vojminovski, i cili ka një vendim burgu prej 13 vjet për vrasjen në tentativë të deputetit, Zijadin Sela...

Nikolla Vojminovski, i cili ka një vendim burgu prej 13 vjet për vrasjen në tentativë të deputetit, Zijadin Sela, për dhunën në parlament më 27 prill të vitit 2017, është në arrati.
 
Policia nuk e ka gjetur në shtëpi gjatë kontrollit rutinor Vojminovskin, të cilit, edhe pse është i dënuar me dënim të shkallës së parë, iu shqiptuar arresti shtëpiak deri në plotfuqishmërinë e aktvendimit.
 
Nga Gjykata Penale konfirmuan se oficerët e policisë, që kryenin mbikëqyrjen në shtëpinë e tij, nuk e gjetën atë në shtëpi. Gjykata urdhëroi paraburgim për atë  pasi të kapet nga organet kompetente.
 
Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se Maqedonia është vendi i çudirave, ku të dënuarit për veprat më të rënda penale lejohen të qëndrojnë në paraburgim shtëpiak dhe institucionet e shtetit dhe MPB po dorëzohen përballë kriminelëve dhe të korruptuarve.
 
“Ikja e fundit e Nikolla Vojminovksit, amnistia e të dënuarve tjerë për 27 prillin, tregon se burgjet na qenkan të ndërtuar vetëm për shqiptarë dhe të dënuarit maqedonas o duhet të ikin o duhet të amnistohen, sepse kështu e kërkon tradita e përhershme e sistemit të drejtësisë në Maqedoni, me standarde të dyfishta, një për maqedonasit dhe tjetër për shqiptarët”,- thuhet në deklaratën e Aleancës për Shqiptarët.
 
BESIM ABDULLAI