Maqedoni

VMRO kundër dygjuhësisë, LSDM: Ligji është në pajtim me Kushtetutën

17.01.2019 15:32

BDI nuk shikon logjikë në deklarimet e VMRO-së kundër Ligjit të gjuhëve....

VMRO vazhdon të kundërshtojë Ligjin për gjuhët të cilin e cilëson si jokushtetues. Dhimbje për opozitën maqedonase është implementimi i Ligjit në organet shtetërore në të gjithë territorin e vendit. Nga LSDM kundërpërgjigjen se ligji jo vetëm që është në pajtim me Kushtetutën, por u mundëson të gjithë qytetarëve të ndjehen të barabartë në shtetin e përbashkët.
 
“Zoran Zaevi ishte personi që para se të vinte në qeveri premtonte se nuk do të ketë dygjuhësi, si shembull i përdorte qytetet si: Strumica, Radovishi, Kavadarci, ku nuk ka qytetarë që flasin shqip, tani implementohet ligjin në tërë territorin e vendit”,- tha Igor Janushev ngaVMRO.
 
“Ligji për gjuhët është në pajtim me Kushtetutën dhe është po kaq i rëndësishëm që më në fund po e realizojmë konceptin në të cilin ne besojmë, konceptin: një shoqëri për të gjithë. I dhamë fund nacionalizmit dhe ndërtojmë një ardhmëri të sigurt, pa marrë parasysh ndryshimet në bazë etnike apo çfarëdo baze tjetër”,- theksoi zëdhënësi i LSDM-së, Kostandin Kostandinov.
 
Osmani: VMRO ta kuptojë realitetin, po zbatohet MO
 
Zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, vlerëson se në qëndrimet e opozitës maqedonase ka jokonzistencë politike. Osmani është i vetëdijshëm se do të ketë pengesa të caktuara në implementimin e Ligjit për gjuhët, por është i bindur se në fund do të krijohet një sistem që do t’ju mundësojë edhe qytetarëve shqiptarë t’u drejtohen institucioneve në gjuhën e tyre amtare. Osmani fton opozitën të pranojë realitetin në shtet.
 
“Mendoj që dhe ata do të reflektojnë dhe do ta pranojnë realitetin e ri i cili në fakt themelet e tij janë vendosur në vitin 2001 me Marrëveshjen e Ohrit, por tani po efektohet në praktikë dhe shumë shpejt dhe ata do të shohin edhe se kjo në asnjë mënyrë nuk do të kërcënojë asnjë komunitet tjetër por vetëm do të bëjë që gjithë qytetarët ta ndjejnë si të veten”,- u shpreh zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
 
Më 18 shkurt, SCE do të organizojë një takim me të gjithë donatorët për të parë përvojën e vendeve që kanë disa gjuhë zyrtare. Janë paraparë dhe mjete nga buxheti për këtë vit për zbatimin e Ligjit për gjuhët, ku për Agjencinë janë vënë në dispozicion 8 milion denarë, ndërsa për inspektoratin 7 milionë të tjera. Ndryshimi i emrave të tabelave në dy gjuhë pritet të bëhet shumë shpejt, sapo të ratifikohet edhe nga parlamenti grek Marrëveshja e Prespës.
 
GAZMEND REXHEPI