Maqedoni

Prodi: Vazhdoni rrugën e integrimeve euroatlantike

17.01.2019 15:47

Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, priti në takim ish kryeministrin Italian dhe ish kryetarin e Komisionit Evropian, Romano Prodin....

Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, priti në takim ish kryeministrin Italian dhe ish  kryetarin e Komisionit Evropian, Romano Prodin, i cili aktualisht është profesor universitar, me rastin e nominimit të tij nga Akademia e Ohrit për Humanizëm, për Çmimin botëror për humanizëm për vitin 2019, i cili i ndahet për kontributin e tij unik për perspektivën e civilizimit bashkëkohor.
 
Xhaferi në fjalën e tij hyrëse theksoi se ky çmim vjen në kohën e vërtetë, te njeriu i vërtetë, duke e pasur parasysh atë se z. Prodi ka qenë pjesë e kryesisë së Bashkimit Evropian në momentet me të vërtetë kritike për rajonin tonë, dhe kjo është vënia e kurorës mbi kontributin e tij human.
 
Xhaferi informoi bashkëbiseduesin për angazhimin e koalicionit të ri qeveritar për vendosjen e marrëdhënieve të mira me fqinjët, me qëllim të zhvillimit të papenguar të integrimeve euroatlantike të vendit me ç’rast Prodi pohoi se Republika e Maqedonisë duhet përsëri të vihet në rreshtin e parë për aderim në Bashkimin Evropian për arsye se procesi është filluar moti dhe tani vetëm duhet të vazhdohet ndërsa ai do e shfrytëzojë gjithë kapacitetin e tij në këtë drejtim.
 
Xhaferi pohoi se tani të gjitha forcat do të drejtohen kah përmbyllja e kapitujve dhe kah çështjet ekonomike për arsye se, kur politika e hap rrugën për ekonominë, atëherë përfitimet janë reale dhe të dukshme për qytetarët. Z. Prodi, i udhëhequr nga përvoja e tij, u pajtua se vendet e vogla edhe më shumë i ndjejnë përfitimet nga anëtarësimi në Union.