Maqedoni
Qeveria: Me Ligjin për gjuhët avancohen të drejtat e të gjitha komuniteteve
18.01.2019 15:55
Ligji i gjuhëve i avancon të drejtat e të gjithë komuniteteve joshumicë dhe nuk parashikon punësime të reja...

Ligji i gjuhëve i avancon të drejtat e të gjithë komuniteteve joshumicë dhe nuk parashikon punësime të reja, ndërsa gjuha maqedonase, me alfabetin cirilik, mbetet gjuha e vetme zyrtare dhe në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë si dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, thuhet në një kumtesë të qeverisë si reagim ndaj kundërshtimeve që i bën ligjit opozita maqedonase.
“E vërteta është se Agjencia për zbatimin e gjuhës dhe Inspektorati për përdorimin e gjuhëve, siç parashikon ligji dhe siç është konfirmuar me marrëveshjen politike për miratimin e tij, kadrovikisht do të ekipohen nga resurset ekzistuese njerëzore në ministri, agjenci dhe sekretariat. Nuk parashikohen punësime të reja”,- thekson Qeveria. Zbatimi i dispozitave ligjore, siç theksojnë nga Qeveria, është detyrim i të gjitha institucioneve.
“Gabimisht dhe në mënyrë manipulative është pohimi se Agjencia për zbatim të gjuhës që e flasin të paktën 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë në cilësinë e personit juridik, do ta ngritë gjuhën shqipe mbi të gjitha të tjerat në Republikën e Maqedonisë. E vërteta është diçka komplet ndryshe, gjegjësisht puna e Agjencisë do të ketë të bëjë me të gjitha gjuhët”,- shtohet në kumtesë.
Agjencia, siç theksojnë nga Qeveria, do t’u shërbejë komunave dhe institucioneve tjera në ato vendbanime ku shumica e qytetarëve janë maqedonas.
Në ato qytete, në rast se ndonjë qytetar nga komuniteti shqiptar, rom, boshnjak, serb, turk apo tjetër do të ketë nevojë nga cilido dokument në gjuhën tjetër, krahas gjuhës maqedonase, atëherë Agjencia qendrore do t’u dalë në ndihmë atyre qytetarëve, t’u sigurojë shërbim në gjuhën e tyre amë, të cilën e kuptojnë më së miri.
“Kjo do të thotë se në institucionet në komuna ku komunitetet joshumicë nuk janë të përfaqësuara me më shumë se 20 për qind të qytetarëve, nuk do të punësohen administratorë të rinj për plotësimin e dispozitave nga Ligji për përdorimin e gjuhëve, ndërsa shërbimet do të sigurohen përmes Agjencisë qendrore për të cilën do të angazhohen kapacitetet ekzistuese nga administrata publike”,- shtohet në kumtesë.
Nga Qeveria po ashtu theksojnë se nuk është i saktë as pohimi se me këtë ligj rrezikohet karakteri unitar i Maqedonisë.
“Se të drejtat më të mëdha për bashkësitë etnike nuk e rrezikojnë unitetin e shtetet, flasin edhe shembujt në vijim të shteteve unitare të cilat kanë dy ose më shumë gjuhë zyrtare. Mali i Zi (gjuha malazeze, serbe, boshnjake dhe shqipe), Malta (gjuha malteze dhe angleze), Finlanda (gjuha finlandeze dhe suedeze, edhe pse ka pesë për qind suedezë), Izraeli (gjuha hebraike dhe arabe), Kosovë (shqipe dhe serbe), Bjellorusi (gjuha bjelloruse dhe ruse), Qiproja (greke dhe turke), Irlandë (gjuha irlandeze dhe angleze)”,- theksohet në kumtesë.
Në pajtim me konkludimin e Qeverisë, Ligji për përdorimin e gjuhëve do të dërgohet për mendim deri tek Komisioni i Venecias nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe të gjitha vërejtjet eventuale do të futen në tekstin e këtij Ligji. Kjo është garanci për respektim të plotë të standardeve evropiane.
“Të gjithë janë fitues me këtë ligj. Maqedonia nuk humb asgjë, ndërsa merr shumë me realizimin e çështjeve të fundit të hapura nga Marrëveshja e Ohrit. Ligji për gjuhët është në kuadër të Kushtetutës dhe mundëson kushte për zbatimin e një shoqërie të përbashkët për të gjithë qytetarët e vendit. Me sjelljen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, Qeveria i jep fund nacionalizmit, duke shkuar përpara, me respektim ndaj njëri-tjetrit, me respektimin e të drejtave dhe nevojave të çdo qytetari dhe çdo bashkësie”,- theksohet në kumtesën qeverisë.
GYLTENE SINANI
