Maqedoni

Bekteshi: hyrja në fuqi e Ligjit për tregjet mund të shtyhet me vendim të kuvendit. Për “Kodrën e diellit”, si opsion partneriteti publiko-privat

18.01.2019 16:34

Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i këshillon tregtarët që kërkesën për shtyrjen e hyrjes në fuqi të Ligjit për licencimin e shitësve...

Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i këshillon tregtarët që kërkesën për shtyrjen e hyrjes në fuqi të Ligjit për licencimin e shitësve në tregjet e gjelbra ta adresojnë te Kuvendi Republikan.
 
Duke u përgjigjur lidhur me protestën e shitësve në tregjet e vendit, Bekteshi tha se ligji është miratuar me propozim të një grupi deputetësh, prandaj edhe kërkesa duhet adresuar deri te kuvendi. 
 
“Ne i kemi pranuar disa nga kërkesat e tyre të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejt me Ministrinë e Ekonomisë dhe ato janë ndryshimi i disa akteve nënligjore dhe rregulloreve të cilat i sjell Ministria e Ekonomisë. Sa për shtyrjen e ligjit, unë iu kam drejtuar se atë mund të bëjë vetëm Kuvendi, marrë parasysh faktin që ky ligj është propozuar drejtpërdrejt nga një grup deputetësh, ata duhet të drejtohen pikërisht te propozuesi dhe Kuvendi, dhe nëse vendoset për shtyrjen e Ligjit për tregjet e gjelbra, ne si ministri do t’i zbatojmë dispozitat ligjore”,- deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Sa i përket kërkesës për marrjen e masave për shpëtimin e qendrës turistike “Kodra e Diellit”, ministri Bekteshi nuk e përjashton mundësinë që të aplikohet partneriteti publiko-privat.
 
“Ne si ministri dhe qeveri kemi ndërmarrë masa. Për momentin jemi duke punuar nëpërmjet ELEM-it, që të shohim vlerën e saktë të “Kodrës së Diellit” dhe unë si ministër, por edhe sipas analizave që kemi bërë, ndoshta do të shkojmë edhe me partneritet publiko-privat, por para se të marrim masa konkrete duhet të kemi të dhëna të sakta se sa kushton “Kodra e Diellit”, përfshirë edhe hotelet që janë në kuadër të ELEM-it”,- u shpreh ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Ministri Bekteshi këtë prononcim e bëri pas vizitës në kompaninë “Vezë Sharri”, e cila, siç tha ai, është me ndikim shumë pozitiv për komunën e Tetovës dhe rajonin e Pollogut.
 
Bekteshi tha se edhe kjo kompani e gjen veten në programet që i realizon Qeveria. Ai tha se do të vazhdojë mbështetja e qeverisë për kompani të këtilla, që ato të mund të jenë edhe më konkurruese në rajon dhe tregun evropian. 
 
FITORE DEMOLLI