Maqedoni

Sugarevski: sistemi i transportit deri në vitin 2030, kompatibil me sistemin e BE-së

18.01.2019 17:27

Sistemi i transportit në Maqedoni deri në vitin 2030 duhet të integrohet dhe të jetë kompatibil me sistemet evropiane...

Rreth 104 aktivitete priten të realizohen deri vitin 2030 në sferën e transportit, për të cilat do të shpenzohen 4.2 miliard euro.
 
Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve do të sigurohen përmes kredive dhe fondeve IPA. Kjo është paraparë me strategjinë kombëtare të transportit, të cilën e ka miratuar qeveria.
 
Ndërtimi i autostradës Kërçova-Ohër, autostrada Shkup-Bllacë, ndërtimi i autostradës së re Gostivar-Kërçovë, autostrada Kriva-Pallankë - Deve Bair janë disa nga projektet më madhore që parashikohen të realizohen. 
 
“Qëllimi final i Strategjisë Kombëtare për Transport është që të zhvillohet sektori i transportit, i cili do të jetë kompatibil dhe i integruar në sistemin evropian të rrjeteve të transportit dhe i cili do të stimulojë zhvillim ekonomik dhe social të vendit, do ta ruajë ambientin jetësor dhe do të sigurojë nevojat e gjeneratave të ardhshme”,- tha ministri i transportit dhe lidhjeve, Goran Sugarevski.
 
Në pjesën e hekurudhave projekti më prioritar mbetet ndërtimi i hekurudhës Maqedoni-Bullgari, ndërsa nga Ministria e Transportit informuan se do të ndërtojnë linjë hekurudhore nga stacioni i Shkupit deri në aeroport. Futja e kësaj linje hekurudhore, sipas tyre, ka qenë ide e kamotshme, por është pritur që të rritet numri i pasagjerëve në aeroportin e Shkupit. 
 
“Kur janë bërë analizat, ato tregonin se vetëm kur transporti ajror të tërhiqte deri në dy milion pasagjerë, atëherë ndërtimi i linjës hekurudhore nga stacioni i trenit në Shkup deri në aeroport, do të ishte i dobishëm. Pasi tanimë jemi këtu diku me numrin e pasagjerëve, atëherë vlerësojmë se është mirë që ky projekt të fillojë të realizohet”,- theksoi udhëheqësja e Repartit për hekurudha në Ministrinë e Transportit, Biljana Zdraveva.
 
Shumica e projekteve në transportin rrugor, sipas ministrit Sugarevski, duhet të kryhen deri më vitin 2021, kurse deri në vitin 2025 duhet të përfundojë ndërtimi i hekurudhës Maqedoni-Bullgari. 
 
ERSAN PAJAZITI