Maqedoni

Tregtarët në protesta: kemi kushte mizore, jemi kundër ligjit të ri

18.01.2019 17:57

Dyert e tregjeve të gjelbra mbetën të mbyllura pasi tregtarët vendosën të protestojnë...

Ata u mblodhën para Kuvendit të Maqedonisë për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj Ligjit për tregjet e gjelbra, i cili ka hyrë në fuqi nga 1 janari e që i obligon këta të fundit të pajisjen me licenca adekuate për shitje.
 
Sipas tregtarëve, shuma prej 3600 denarë për licencë është e papërballueshme, ndërsa ankohen edhe për mungesë të kushteve nëpër tregje.     
                                                                       
“Nuk jemi kundër licencave, por jemi kundër kushteve mizore momentalisht që kemi. Ne kushte elementare nuk kemi, ata kërkojnë diçka më superiore. Për momentin është shumë se edhe prometi ditor ka rënë shumë dhe këtu është problemi”,- tha një tregtar.                                                                                                               
 
“Kur ka pasur punë kurrë nuk kam qenë kundër kësaj, kjo vjen si pasojë e mospunës, dhe ne çfarë do të bëjmë dhe me këtë që do të largohemi, çfarë do të bëjmë? Duhet të vjedhim? Jemi kundër, se ne i paguajmë Bit Pazarit dhe ne këto harxhime nuk mund t’i mbulojmë”- u shpreh një tregtar.
 
“Ne kemi dalë për licencat... Duan të na obligojnë për licenca të marrim”,- theksoi një tregtare.     
                    
“A ka ardhur dikush të na pyes se si punojmë në -15 gradë, që nuk kemi kushte elementare, që nuk kemi ujë, a na ka pyetur dikush që ajo që shesim ne e shesin edhe marketet”,- deklaroi një tregtar.                       
                                                                              
Nga Oda e Tregtarëve akuzojnë ndërmarrjen “Skopski Pazar” për organizimin e protestave, ndërsa përsërisin se licenca është zgjidhja më se e duhur që zgjidh statusin e tregtarëve.                                         
“Organizimin e protestave në “Bit Pazar” e bën “Skopski Pazar”. Ka gjetur disa persona me të cilët manipulon, ndërsa realisht ai është duke manipuluar me të gjithë tregtarët. Licenca është dokument i cili ta legalizon biznesin, në vend që me nxjerr firmë në regjistrin qendror, furnizohesh me licencë, te ne dhe nuk ke punë me askënd, me asnjë institucion shtetëror në aspektin e dënimeve, të kontrollit apo ngjashëm”,- deklaroi kryetari i Odës së Tregtarëve, Ekrem Dolek.           
                                                                               
Disa përfaqësues të tregtarëve zhvilluan takim edhe me disa deputetë të Kuvendit, nga të cilët kërkuan shfuqizimin e ligjit, mirëpo nga ky takim dolën pa ndonjë rezultat konkret.
 
Nëse nuk shfuqizohet ligji, tregtarët thonë se do të vazhdojnë me protesta.
 
ZEKIRIJA MEXHITI