Marrëveshja e Prespës në Kuvendin grek, Zhbogar: Do të kalojë pa probleme
Marrëveshja e Prespës do të kalojë pa probleme edhe në Parlamentin grek, dekloaron, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Samuel Zhbogar.....

Marrëveshja e Prespës do të kalojë pa probleme edhe në Parlamentin grek, dekloaron, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Samuel Zhbogar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
“Ajo që shikoj është përkushtimi te kryeministri grek (Alexis Tsipras) për ta zbatuar Marrëveshjen në Parlamentin grek. Edhe unë i besoj përkushtimit dhe vendosmërisë së tij dhe mendoj se duhet të mbetemi optimistë dhe të fokusohemi në zhvillim pozitiv” – tha Ambasadori i Bashkimit Europian në Shkup, Samuel Zhbogar.
Zhbogar thekson se Marrëveshja e Prespës paraqet një arritje të vërtetë për Maqedoninë si shtet, sa i përket zhbllokimit të proceseve integruese, por sipas tij është me rëndësi që të gjitha institucionet e shtetit të punojnë me përkushtim në realizimin e reformave, nga çka varet edhe marrja e datës për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian.
Zhbogar nënvizon se nëse Qeveria e Maqedonisë do të angazhohet me të njëjtin kapacitet për zbatimin e reformave, ashtu siç u angazhua për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, atëherë nuk duhet të shqetësohet se çka do të ndodhë në muajin qershor në Komisionin Evropian, kur do të vendoset për rekomandimin e fillimit të bisedimeve për anëtarësim.
Ndërkohë, i pyetur se si sheh kërkesën e VMRO-DPMNE – së për zgjedhje të parakohshme, Zhbogar thotë se për këtë duhet të vendosin partitë politike, por duke përllogaritur edhe rëndësinë e realizmit të reformave që mund të ngadalësohen për shkak të zgjedhjeve eventuale. (Sedat Selimi, TVM2)
