Maqedoni

Shkupi me ndotje të lartë, në fuqi masat për uljen e ndotjes. Qytetarët dhe ekspertët: Nevojiten masa shtesë dhe më afatgjata

21.01.2019 15:10

Pasi gjatë vikendit Shkupi ishte në vendin e parë në botë për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit....

Pasi gjatë vikendit Shkupi ishte në vendin e parë në botë për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit, me praninë e grimcave PM10 dhe PM 2.5, dhjetëra herë mbi normat e lejuara, autoritetet aktivizuan masat urgjente kundër ndotjes. Transporti publik tashmë është pa pagesë, çmimet e parkingjeve janë dyfishuar, ndërsa janë ndërprerë edhe punët ndërtimore.
 
Inspektorët janë urdhëruar të bëjnë kontrolle të rrepta në lokacionet ku dyshohet se bëhen djegia e gomave dhe materialeve tjera helmuese. Ministria e Arsimit ka urdhëruar që gjysmë vjetori i dytë për shkollat fillore dhe të mesme të shtyhet të paktën për dy ditë. Marrë parasysh nivelin e lartë të ndotjes që në kontinuitet po përballet kryeqendra, qytetarët vlerësojnë se masat e ndërmarra nga institucionet kompetente duhet të jenë më afatgjata. 
 
“Ndotja e ajrit pengon shumë në shëndetin por masat që janë ndërmarrë nga qyteti i Shkupit nuk janë të mjaftueshme”,- u shpreh një qytetar.
 
“Mirë është kjo që autobusi është pa pagesë edhe shumica ndoshta veturat nuk do t’i përdorin. Unë për vete eci me biçikletë, kjo është për shëndetin e njeriut më mirë”,- theksoi një qytetar. 
 
“Unë mendoj që autobusi pa pagesë do të ketë efekt dhe do të ndikojë në uljen e ndotjes së ajrit. Por, masat e ndërmarra mendoj që duhet të zgjasin më shumë deri sa nuk kemi ndonjë rezultat të uljes së ndotjes së ajrit”,- tha një qytetar.  
 
“E dimë që autobusi pa pagesë është, por duhet të jetë më afatgjatë, për 1 ditë, 2, apo 1 javë asgjë nuk bëhet”,-  shpreh një qytetar. 
 
Edhe ekspertët kërkojnë shtim të masave dhe ato të jenë më afatgjata, si subvencione për ndryshimin e mënyrës së ngrohjes dhe jo ndihmë vetëm për disa qindra amvisëri, masa në sektorin e ndërtimtarisë, ndërprerjen e punimeve apo mosdhënien e lejeve për ndërtesa shumëkatëshe, që pengojnë qarkullimin e ajrit, si dhe masa tjera.
 
“Rekomandimi im do të ishte: institucionet që i kanë ndërmarrë këto masa  padyshim se do të japin efekte. Jam skeptik për shkak të mosseriozitetit se me 1 apo 2 ditë ndotja e ajrit nuk luftohet, nuk ulet. Këto masa duhet të ndërmerren me një afat kohor më të gjatë nga institucionet kompetente. Kam bërë thirrje që institucionet masat t’i ndërmarrin në afat kohor më të gjatë, duke ndjekur shembullin e Parisit, kur kryeqendra ndërmerr masa për ndotjen e ajrit për 10 vitet e ardhshme, siguron transport publik falas”,- theksoi ambientalisti, Afrim Osmani.                       
                      
Përveç kryeqendrës, ndotje e lartë e ajrit është regjistruar edhe në Manastir, Prilep dhe qytete tjera të vendit. 
 
REJHANE BUSHI METAJ