Maqedoni

Ruskovska për “27 prillin”: Nuk do të ketë ndryshime thelbësore në aktakuzë

21.01.2019 15:29

Aktakuza e ngritur për 27 prillin nuk do të pësojë ndryshime thelbësore, premton prokurorja publike e cila udhëheq me këtë lëndë, Villma Ruskovska...

Pas anulimit të seancës gjyqësore që u bë për shkak se ende nuk janë sjellë vendimet e plotfuqishme për refuzimin e kërkesave të të paamnistuarve, Ruskovska tha se do të mbetet vepra e njëjtë penale “rrezikim terrorist kundër rendit kushtetues”, ndërsa fjalët përfundimtare të saj do të prezantohen më 31 janar. 
 
“Aktakuza nuk ka pësuar ndryshime thelbësore. Ka specifikime në dëshmitë plotësuese të cilat ishin prezantuar. Sipas Ligjit për amnisti, duhej më saktë të sqarohet se kush nga të akuzuarit çfarë vepre ka bërë, ndërsa kjo do të bëhet në fjalët përfundimtare”,- tha prokurorja publike, Villma Ruskovska.
 
Sa i përket procedurës parahetimore që zhvillohet për arratisjen e ish kryeministrit, Nikolla Gruevski, Ruskovska tha se deri tani janë marrë në pyetje disa persona nga truproja e ish kryeministrit, janë mbledhur një pjesë e dëshmive, ndërsa në pritje është që deri në fund të kësaj jave të marrë provat nga Shqipëria. 
 
“Gjatë kësaj jave do të merren në pyetje mjaftë dëshmitarë dhe shpresojmë se gjatë kësaj jave do t’i  marrim edhe provat e kërkuara nga Republika e Shqipërisë”,- u shpreh prokurorja publike, Villma Ruskovska.
 
Derisa emri i tij sillet në procedura të ndryshme gjyqësore, ish kryeministri Gruevski është kapur nga mediat hungareze duke shëtitur në një qendër tregtare në Budapest.
 
REXHEP QAMILI