Maqedoni
Shekerinska: Sllovenia, përkrahje të vazhdueshme Maqedonisë; Erjavec: Greqia do të ratifikojë Marrëveshjen e Prespës
21.01.2019 16:30
Sllovenia vazhdimisht e ka mbështetur Maqedoninë në rrugëtimin e saj për anëtarësim në NATO...

Sllovenia vazhdimisht e ka mbështetur Maqedoninë në rrugëtimin e saj për anëtarësim në NATO, ndërsa tani ambasadori slloven në Shkup është emëruar nga ana e NATO-s si pikë kontakti në procesin final për anëtarësim të vendit në aleancë.
Kështu deklaroi ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, pas takimit me homologun e saj slloven, Karl Erjavec.
“Ambasada sllovene tani është në kontakt me ambasadën, me NATO-n. Shefi i zyrës së NATO-s këtu në Shkup është oficer slloven dhe nuk do të hidhërohen kolegët e BE-së kur të theksoj edhe atë se ambasadori që e prezanton BE-në këtu në Maqedoni po ashtu është slloven. Dhe kjo nuk është rastësisht, pasi për më shumë se 25 vite kur kishim edhe ngadalësim dhe rënie në pjesën e anëtarësimit në BE dhe NATO një gjë ishte e përhershme, ajo ishte përkrahja e vazhdueshme e Sllovenisë”,- tha ministrja e mbrojtjes e RM-së, Radmilla Shekerinska.
Ministri slloven Erjavec premtoi mbështetjen e vendit të tij edhe në këtë periudhë kur Maqedonia ndodhet para anëtarësimit në NATO dhe fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE, duke shprehur besimin se edhe Greqia do ta realizojë pjesën e saj të obligimit të Marrëveshjes së Prespës.
“Personalisht jam optimist se edhe pala greke do ta plotësojë pjesën e saj të Marrëveshjes së Prespës. Si ministër i mbrojtjes isha i pranishëm në një takim të dhimbshëm në Samitin e NATO-s në Bukuresht në vitin 2008 kur nuk ia dolët të anëtarësoheni por sot e shoh se jeni në rrugën e anëtarësimit”,- theksoi ministri i mbrojtjes i Sllovenisë, Karl Erjavec.
Përkrahjen sllovene ministri Erjavec ia përcolli edhe kryeministrit Zaev, i cili e ka mirëpritur lajmin se ambasadori slloven në Shkup do të jetë pikë kontakti me NATO-n pasi të nis procedura e anëtarësimit.
Po ashtu Zaev dhe Erjavec u pajtuan se dy vendet mbeten të përkushtuara në thellimin e bashkëpunimit dypalësh.
GYLTENE SINANI
