Maqedoni

Athina po përballet me protesta, kundërshtohet Marrëveshja e Prespës

21.01.2019 17:48

Një ditë pas protestës në Athinë, ku mbi 60 mijë qytetarë protestuan kundër Marrëveshjes së Prespës në mes Maqedonisë dhe Greqisë...

Një ditë pas protestës në Athinë, ku mbi 60 mijë qytetarë protestuan kundër Marrëveshjes së Prespës në mes Maqedonisë dhe Greqisë, situata akoma është e tensionuar.
 
MPB greke po bën bilancin nga protestat e dhunshme, ndërsa në Parlamentin grek ka filluar seanca ku do të duhet të diskutohet rreth marrëveshjes në fjalë.
 
Si pasojë e këtyre përleshjeve në mes demonstruesve dhe policisë kanë mbetur të lënduar 25 policë dhe afro 35 protestues, ndërsa edhe dhjetëra të tjerë janë arrestuar.
 
Edhe pse mediat greke paralajmërojnë se ratifikimi i marrëveshjes në Parlamentin grek do të kalojë shumë shpejt, duket se kjo situatë aspak nuk është e lehtë për kryeministrin Tsipras, i cili përpos tentimit për t’i siguruar votat e nevojshme në Kuvend, do të duhet ta menaxhojë situatën edhe me paralajmërimet tjera për protesta masive para Parlamentin grek.
 
Raporti policor tregon se numri i protestuesve ka qenë 65.000 dhe në këto trazira kanë mbetur të lënduar mbi 35 protestues dhe 25 policë, ndërsa ka edhe dëme materiale të lokaleve dhe makinave.
 
Organizata të ndryshme, të përkrahur edhe nga partia opozitare “NEA DEMOKRATIA”, kanë pohuar se sheshi “Sintagma” në Athinë do të jetë arena ku do të grumbullohen atdhetarët grekë të cilët paralajmërojnë rrëzimin e paktit Zaev - Tsipras.
 
Nga ky rrjet i organizatave, po ashtu kanë pohuar se nëse ka dështuar tentimi i tyre i djeshëm për t’u futur në Parlamentin grek, e njëjta nuk mund të ndodhë edhe në ditët në vazhdim. 
 
Nga ana tjetër ndërmjetësuesi i OKB-së për emrin, Nimetz, kërkon që të bëhen hapat e tjerë për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës.
 
“Pas njoftimit nga Maqedonia për ndryshimet kushtetuese dhe procedurat ligjore për futjen në fuqi të marrëveshjes, pritet nga Greqia të shqyrtojë dhe procedojë me ratifikimin e marrëveshjes. Unë pres përfundimin e procesit të kërkuar nga Marrëveshja. OKB mbetet e angazhuar të punojë me të dyja palët për t’ i dhënë fund diferencave midis tyre”,- tha ndërmjetësuesi i OKB-së, Matthew Nimetz.
 
Apele për qetësim të situatës vijnë edhe nga qendrat tjera diplomatike botërore, të cilat kërkojnë tejkalim të situatës dhe ratifikim sa më të shpejtë të kësaj marrëveshje. 
 
FITIM KRYEZIU