Maqedoni

LSDM dhe BDI këtë javë vendosin se a do të ketë apo jo zgjedhje të parakohshme. ASh: pro zgjedhjeve të parakohshme parlamentare

21.01.2019 18:03

Partitë në pushtet këtë javë do të vendosin nëse do të pranojnë apo jo sfidën për zgjedhje të parakohshme të cilat janë kërkuar nga VMRO-DPMNE-ja opozitare...

Partitë në pushtet këtë javë do të vendosin nëse do të pranojnë apo jo sfidën për zgjedhje të parakohshme të cilat janë kërkuar nga VMRO-DPMNE-ja opozitare, por edhe nga partitë opozitare shqiptare.                 
    
“Këtë javë pres bisedime serioze edhe në kuadër të koalicionit, edhe në kuadër të LSDM-së, rreth pyetjes nëse bashkë me zgjedhjet presidenciale do të ketë edhe zgjedhje parlamentare. Mendoj se i gjithë fokusi për gjithë atë të cilën e kemi lajmëruar edhe para jush në fillim të mandatit tonë është që ta realizojmë gjatë këtyre javëve të fundit. Kështu jam e bindur se do të meritojmë vërtetë mbështetje në cilatdo zgjedhje”,- tha Radmilla Shekerinska nga LSDM.       
                                                                                
Nga BDI thonë se bazuar në interesin partiak, zgjedhjet duhet të mbahen që nesër, por kjo nuk është interes shtetëror.             
                                  
“Këto muaj që janë para nesh janë kyç për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve, por edhe për dinamikën e ratifikimit për anëtarësim në NATO në kuvendet e vendeve anëtare, prandaj nëse ne tani shkojmë në zgjedhje pa ndonjë nevojë serioze. Mendoj se me vetëdije e dëmtojmë dinamikën e fillimit të bisedimeve, prandaj politikanë të përgjegjshëm këtë nuk duhet ta bëjnë. Por, nëse kushtëzohemi me bojkot të zgjedhjeve presidenciale, atëherë do të ulemi dhe të mendojmë”,- tha Bujar Osmani nga BDI.     
                                                                 
Aleanca për Shqiptarët vlerëson se nuk është realizuar premtimi kryesor i qeverisë, drejtësia për të gjithë, prandaj mbështet zgjedhjet e parakohshme.                                                                                                
“Qeveria, përveç planit në aspekt të fqinjësisë së mirë dhe të politikës së jashtme, që më tepër ka qenë meritë e këmbënguljes dhe insistimit të faktorit ndërkombëtar se sa nga këtu brenda, e kam fjalën për Marrëveshjes e Prespës, ndryshimit të emrit dhe ndryshimeve kushtetuese, në të gjitha sferat tjera, fushëveprimet e tjera, ka dështuar”,- theksoi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.           
 
VMRO-DPMNE insiston që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen bashkë me ato presidenciale.
 
Ndërsa sa u përket zgjedhjeve presidenciale nga BDI kanë sqaruar se me kandidat konsensual nënkuptojnë kandidat të përbashkët me LSDM-në.
 
FITORE DEMOLLI