Maqedoni

Ligji i gjuhëve, VMRO ngre iniciativë deri te Kushtetuesja. Osmani: Ligji i gjuhëve kushtetues, buron nga Marrëveshja e Ohrit

21.01.2019 18:16

VMRO-DPMNE ka ngritur inicijativë deri në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetueshmërisë së Ligjit të gjuhëve...

Sipas partisë së Mickovskit, ligji është sjellë në mënyrë të jashtëligjshme dhe të dhunshme në kundërshtim me amendamentin 5 të kushtetutës, ku thuhet se gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik është zyrtar në mbarë territorin e Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare.
 
“Me Ligjin e dygjuhësisë, gjuha maqedonase barazohet me çdo ligj tjetër me atë që e flasin 20% e qytetarëve në Maqedoni dhe shndërrohet në një nga dy gjuhët zyrtare, që është antikushtetuese.  Apelojmë deri tek Gjykata Kushtetuese të vendosë urgjentisht, duke respektuar kushtetutën dhe praktikat nga e kaluara dhe të sjellë vendim me të cilin do të shfuqizohet Ligji i dygjuhësisë. Përpjekjet antiligjore do të duhet të ndërpriten dhe të ketë përgjegjësi”,- tha Igor Janushev nga VMRO-DPMNE.
 
Zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, këtë veprim të VMRO-së e cilëson si përpjekje për të fituar pikë politike, pasi që kjo çështje buron nga Marrëveshja Kornizë e vitit 2001. Osmani fton VMRO t’i bashkëngjitet procesit të zbatimit të ligjit. 
 
“Është në vijë të kushtetutës, në vijë të frymës së Marrëveshjes së Ohrit, prandaj ajo që mund t’i ofrojë VMRO-DPMNE-së është vetëm të bëhet pjesë e grupeve të punës për të implementuar Ligjin e gjuhëve për shkak se kjo mund të ketë detyrime edhe në partinë e tyre të përdoret gjuha shqipe”,- tha zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
 
Edhe nga LSDM përgënjeshtrojnë akuzat se ligji është antikushtetues. Thonë se publikimi i ligjit vetëm me firmën e kryeparlamentarit Xhaferi erdhi si pasojë e shkeljes së kushtetutës dy herë radhazi nga presidenti për të firmosur dekretin ligjor.
 
MERAL ISMAILI