Përzgjedhja e Këshillit Mbikëqyrës të ATO-s, pushteti dhe opozita me qëndrime të ndara
Deputetët e shumicës dhe opozitës në Komisionin Parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime...

Deputetët e shumicës dhe opozitës në Komisionin Parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime dolën me qëndrime të ndara rreth përzgjedhjes së anëtarëve dhe kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, i cili, sipas ligjit, duhet të merret me mbikëqyrjen e punës së ATO-s.
Për shkak të numrit të vogël të të interesuarve në konkurs dhe mosparaqitjes së kandidatëve shqiptarë, LSDM dhe BDI kërkojnë që të zgjidhen fillimisht 4 anëtarë dhe më pas të shpallet konkurs për 3 anëtarë të tjerë, nga të cilët 2 do të duhej të jenë shqiptarë.
“Realisht ashtu edhe duhet të përfundojë mbledhja. Siç u morëm vesh në këtë mbledhje, të zgjedhim 4, kurse për 3 të anulojmë zgjedhjen. Të shpallim për 3 persona konkurs në të cilin 2 do të jenë të komunitetit shqiptar dhe 1 i komunitetit maqedonas apo nga personat tjerë që do të konkurrojnë”,- deklaroi Ejup Alimi nga BDI.
“Jemi vonuar. Para Vitit të Ri anuluam mbledhjen. Tani ndodhemi para një dileme se a të zgjedhim 4 anëtarë prej të cilëve 3 të jenë ekspertë dhe një nga informatika, ose do ta anulojmë konkursin dhe të mbetet pas zgjedhjeve. Ju e dini periudhën para dhe pas zgjedhjeve. Do të mbetet komisioni vetëm në letër, që është një problem”,- tha Ivana Tufekxhiç nga LSDM.
Nga Lëvizja “Besa” janë kundër zgjidhjeve parciale. Për shkak të mungesës së kuadrove shqiptarë në konkursin paraprak, ata kërkojnë anulimin e tërësishëm të konkursit. Përsëritje të konkursit kërkon edhe VMRO-DPMNE.
“Ajo që është më e mira për momentin në të cilin gjendemi është më mirë që konkursi të përsëritet në tërësi. Duke pasur parasysh se nuk kanë konkurruar përfaqësues të etnikumeve tjera, nuk ka shqiptarë, ndërsa bëhet fjalë për institucion që duhet të mbikëqyrë punën agjencisë dhe si institucion duhet të krijojë kredibilitetin e tij para qytetarëve të vendit, që është shumë me rëndësi”,- u shpreh Fadil Zendeli nga BESA.
“Konsideroj se nuk duhet të shpejtojmë me zgjidhje të ngutshme të cilat në mënyrë parciale do ta zgjidhim sot. Në situatë kur kemi 8 kandidatë të paraqitur nga të cilët 1 nuk i plotëson kushtet ndërsa 7 zgjidhen, unë mbaj qëndrimin se duhet shpallur konkurs ku do të paraqiten më shumë të interesuar dhe nga ai kuantitet të mund të zgjedhim kualitetin”,- tha Nikolla Mickovski nga VMRO DPMNE.
Në konkursin e parë kërkoheshin 7 anëtarë për Këshillin Mbikëqyrës Civil, ndërsa u paraqitën vetëm 8, njëri prej të cilëve nuk i përmbushte kushtet. (Naim Ramadani, TVM2)
