Mickovski: Ndotja, vrasëse e heshtur e qytetarëve, LSDM: VMRO për 11 vite u mor me krim dhe korrupsion
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski, ka lëshuar kritika në adresë të pushtetit...

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski, ka lëshuar kritika në adresë të pushtetit, për shkak të nivelit të lartët të ndotjes së ajrit.
“I tërë shteti po përballet edhe me një problem të rëndësishëm, ku çmimi është shëndeti i qytetarëve, është problemi me ndotjen e ajrit. Problemi është tejet serioz dhe shumë më kompleks nga temat e përditshme defokusuese, të cilat i imponon pushteti. Masat sipërfaqësore që po ndërmerren janë vetëm maskat për ta mbuluar paaftësinë. Pasojat e mospërballjes së pushtetit me ndotjen e lartë janë spitale të mbushura, fëmijë dhe të moshuar që vuajnë nga sëmundjet respiratore dhe shëndeti i humbur. Ajri i ndotur nënkupton vdekje e heshtur nga e cila humben jetë”,- deklaroi Mickovski. “Qeveria patjetër të veprojë! Bëhet fjalë për jetën e dy milionë njerëzve. Pushteti duhet ta kuptojë këtë jo si politizim të çështjes, por si alarm që kërkon zgjidhje”,- theksoi Mickovski.
Por, nga LSDM janë kundërpërgjigjur me kundërakuza se gjatë 11 viteve të qeverisjes, VMRO-DPMNE ka injoruar problemin dhe në vend që të merren me problemet e qytetarëve, janë përkushtuar në krim dhe korrupsion.
“Gjatë kohës së qeverisjes së VMRO-DPMNE-së, në kohën kur Mickovski ishte drejtor i ELEM-it, energjia elektrike u shtrenjtua për 100%. Për shkak të shtrenjtimit të energjisë elektrike, amvisëritë ishin të detyruara të kalojnë në mënyra më të lira dhe më pak ekologjike të ngrohjes. Kjo ishte edhe një arsye për rritjen e ndotjes së ajrit”,- kanë vlerësuar nga LSDM.
