Maqedoni
Personat me pengesa në zhvillim, Perks: jepuni mundësi të realizojnë potencialet
22.01.2019 13:19
Si të gjithë qytetarët tjerë të vendit, edhe personat me pengesa në zhvillim duhet t’i realizojnë të gjitha të drejtat e tyre qytetare....

Kjo përfshin jo vetëm angazhim deklarativ, por gjithëpërfshirje në të gjitha sferat e jetës, e sidomos më shumë përkushtim nga institucionet. Edhe pse ka përparim evident në këtë drejtim, ende ka shumë për t’u bërë që këto persona të mund të realizojnë jetë cilësore, potencojnë nga UNICEF.
“Dëshirojmë të shohim në shoqëri se si personat me pengesa tërësisht i realizojnë potencialet e tyre, të punojnë, të formohen dhe të jetojnë me dinjitet në shoqërinë e tyre, e sidomos në kontaktin me institucionet. Dëshirojmë të shohim detektimin e hershëm të fëmijëve me pengesa në zhvillim dhe inkorporimin e tyre adekuat në sistemin arsimor, si dhe nuk duam të shohim diskriminim në vetë shoqërinë”,- tha përfaqësuesi i UNICEF-it, Benxhamin Perks.
Ministrja e punës dhe politikës sociale, Milla Carovska, thotë se janë ndërmarrë masa për këtë kategori qytetarësh, por kërkon që të gjitha institucionet duhet të angazhohen maksimalisht në këtë drejtim.
“Të gjitha barrierat administrativ e që ishin në ligje për realizimin e të drejtave i kemi eliminuar që në gjashtë muajt e parë. Po vendosim shërbime në nivel lokal që të mundet këta persona më lehtë t’i realizojnë të drejtat dhe ta rrisin kualitetin e jetës. Kemi rritur edhe mbështetjen financiare”,- tha ministrja e punës dhe politikës sociale, Milla Carovska.
MPPS filloi trajnimin sot në bashkëpunim me UNICEF-in, që ka si qëllim implementimin sa më intensiv të konventës për të drejtat e personave me pengesa, strategjisë nacionale, përfshirjen e sektorit joqeveritar dhe institucioneve. Strategjia nacionale parasheh që deri në vitin 2020 Qendra e personave me pengesa në zhvillim në Demirkapi të transformohet sipas modelit të qendrave për fëmijë pa prindër, që nëpërmjet de-institucionalizimit, këta fëmijë të përkrahen që të zhvillojnë jetën e tyre si pjesë e bashkësive lokale.
GYLTENE SINANI
