Maqedoni

“Ballkan Mediteran”, 50 pjesëmarrës në trajnimin për sektorin digjital

22.01.2019 14:04

Ballkani ka nevojë për energji dhe njohuri për studentët dhe sipërmarrësit e ardhshëm...

50 pjesëmarrës nga Maqedonia, Shqipëria, Greqia, Bullgaria dhe Qiproja janë mbledhur në Shkup në trajnimin treditor mbi trajnime modulare shumë të sofistikuara në fushën e sipërmarrjes dhe pesë sektorëve tjerë: projektet IT, energji, teknologjitë e informacionit, ekologji, stilin e jetës dhe teknologjinë e lartë. 
 
“Në 2015 u shpall thirrja për aplikim të projekteve, e cila kapte vlerën prej 31 milion euro, rreth vitit 2016-2017, dhe u kontraktuan 37 benificientë. Qendra për Menaxhim me Njohuritë është i vetmi benificientë që është udhëheqës i programit nga të gjithë programet që implementohen në programin “Ballkan Mediteran””,- tha ministri i vetëqeverisjes lokale, Suhejl Fazliu. 
 
“Qëllimi i këtyre trajnimeve është të ndihmojnë sipërmarrësit ekzistues të krijojnë ide të forta për bizneset e tyre, por edhe për ata që duan të fillojnë, si të arrijnë ide të suksesshme, u mundëson të lidhen fuqishëm me rajonin për të gjetur partnerë të përshtatshëm dhe të besueshëm me të cilët mund të bashkëpunojnë”,- theksoi drejtoresha e Qendrës për Menaxhimin me Njohuritë, Andrijana Bogdanovska.
 
Pjesëmarrësit thonë se ky trajnim për studentët është një ndihmesë për të zgjidhur probleme të ndryshme në fushën e informatikës.
 
“Duke mësuar sa më shumë edhe nga vendet tjera, nga kultura e tyre por edhe nga mënyra e tyre se si ata zhvillojnë ose si mundohen të krijojnë softuerë ose probleme të ndryshme në fushën e informatikës na bënë më të përgatitur për atë se çfarë kërkon tregu i huaj, ose çfarë i mungon Shqipërisë, çfarë i duhet më tepër”,- u shpreh përfaqësuesja e Shqipërisë, Kejdi Baqa.
 
Trajnimi organizohet në kuadër të projektit “Edukimi për idetë dhe inovacionet”.
 
REJHANE BUSHI METAJ