Maqedoni
Rasti “Sopoti”, Zaev: jemi të gatshëm për marrëveshje. Paçuku:Marrëveshja, e pranueshme për të dyja palët
22.01.2019 17:38
Kryeministri, Zoran Zaev, është shprehur se është i gatshëm të arrijë marrëveshje me ish të dënuarit e rastit të Sopotit që kërkojnë dëmshpërblim...

Ai tha se shteti dhe qeveria ekzistojnë për t’i plotësuar obligimet ndaj qytetarëve në pajtueshmëri me konventat ndërkombëtare, kushtetutën dhe ligjet.
“Nëse me ligj është ashtu, për shtetin është me e dobishme të bëjë marrëveshje, pasi që shpenzimet gjyqësore dhe përmbaruese janë vetëm shpenzime shtesë, shtyrje, gjegjësisht rritje të implikimeve mbi buxhetin, por gjithsesi edhe shpenzimi i kohës së nevojshme. Ne në më shumë procedura kemi arritur marrëveshje. Besoj se do të gjendet zgjidhje. Qëndrimi ynë është i qartë, ligji duhet të respektohet, aktgjykimet janë miratuar, të drejtat që i kanë qytetarët sipas kushtetutës dhe ligjit duhet patjetër të zbatohen”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Edhe avokati i palës së dëmtuar, Vullnet Paçuku, thotë se me avokatin e shtetit kanë arritur marrëveshje sa i përket shumës së dëmshpërblimit dhe se tani në radhë është vendimi i qeverisë.
“Me avokatin e shtetit arritëm një marrëveshje e cila do të ishte e pranueshme për të dyja palët, edhe për të dëmtuarit edhe për avokatin e shtetit. Një propozim marrëveshje prej 5500 denarë për çdo ditë vuajtje të dënimit. Propozim marrëveshja i është dërguar qeverisë dhe qeveria duhet të sjellë vendim se a e miraton këtë propozim marrëveshje”,- theksoi avokati mbrojtës, Vullnet Paçuku.
Paçuku sqaron se në rast se Qeveria miraton vendim dhe i jep të drejtën avokatit të shtetit në gjykatë, atëherë do të nënshkruhet marrëveshje gjyqësore dhe në këtë mënyrë do të zgjidhet çështja në mënyrë shumë të shpejtë, që të mos bëhen shpenzime të panevojshme. Sipas tij, kjo propozim marrëveshje është e pranueshme edhe për shtetin.
Kujtojmë se në procesin gjyqësor “Sopoti”, 11 persona u dënuan me 156 vjet burg. Aktakuza ishte për vendosjen e një mine në vitin 2003, në fshatin Sopot, pas çka u vranë dy ushtarë polakë të forcave të NATO-s dhe një shoqërues civil. Në rigjykimin për këtë rast, Prokuroria Speciale Publike tërhoqi aktakuzën në mungesë të provave dhe gjykata i shpalli ata të pafajshëm.
FLORIJE BELULI KAMBERI
