Maqedoni
Nxënësit rikthehen në bankat shkollore, Sh. F. “Adem Jashari” starton me mungesë të librave
23.01.2019 14:56
Rreth 270.000 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme sot filluan gjysmëvjetorin e dytë....

TVM2 vizitoi Shkollën Fillore “Adem Jashari” dhe Gjimnazin “Zef Lush Marku” për të parë si nisi ky gjysmëvjetor. Në Shkollën Fillore “Adem Jashari” vazhdojnë të mungojnë një pjesë e librave edhe pse kërkesa për furnizim është bërë në muajin maj të vitit që lamë pas. Në këtë shkollë përsëritet kërkesa e njëjtë si nga mësimdhënësit po ashtu edhe nxënësit kërkojnë që në këtë gjysmëvjetor të pajisen me librat e nevojshëm dhe të krijohen kushtet elementare për përvetësimin e mësimeve.
“Në muajin maj të vitit 2018 ka qenë kërkesa e fundit, por përgjigje ende nuk kemi marrë, shumë prej librave janë sjellë por ka lëndë që mungojnë dhe ende nuk kemi përgjigje. Mungojnë gjuha shqipe, angleze, maqedonase, frënge, këto libra mungojnë”,- tha arsimtari, Agim Ramdani.
“Mungesa e tyre paraqet problem në zhvillimin e procesit arsimor, si për nxënësit që obligohen të plotësojnë materialin me shënime shtesë, po ashtu ka raste kur nxënësit i fotokopjojnë librat edhe pse është e ndaluar, por duhet që të plotësohen nevojat e nxënsëve për të mësuar”,- theksoi arsimtarja, Fitore Qiriazi.
“Gjeografia ka munguar, e kemi bërë fotokopje tre nxënës, ne po duhet të shkruajmë shumë”,- tha një nxënës.
“Ka pasur shumë libra që kanë munguar, gjeografia, maqedonishtja, historinë e kanë sjellë. Presim që në gjysmëvjetorin e dytë t’i sjellin librat që mungojnë”,- u shpreh një nxënës.
“T’i sjellin librat, të mos mungojnë arsimtarët dhe të jemi të suksesshëm”,- theksoi një nxënës.
Pushimi dimëror është shfrytëzuar nga drejtuesit e gjimnazit “Zef Lush Marku” për furnizim me inventar të ri, filtrues të ajrit, si dhe pajisje për zhvillimin bashkëkohor të procesit mësimor.
“Filtruesit e ajrit janë sjellë në muajin dhjetor të vitit 2018, ato janë donacion nga qyteti i Shkupit, por ka edhe risi të tjera, shkolla është furnizuar me inventar të ri 80 për qind prej bankave dhe karrigeve janë të reja, është lyer, është pajisur me smart table, kabinetet e kimisë, fizikës dhe besoj se do përmirësohet edhe procesi edukativo-arsimor dhe të gjithë do të përkushtohen në punë”,- deklaroi drejtori i Gjimnazit “Zef Lush Marku”, Faruk Zeqiri.
“Mungesat e librave këtë gjysmëvjetor janë përmbushur, kemi filtrues të ajrit, banka, karrige të reja... Presim që tani të rritet suksesi në mësime”,- u shpreh një nxënës.
“Meqenëse te ne kemi smart tabelë, do të kishim dashur ta përvetësojmë si mjet që na e lehtëson mësimet”,- theksoi një nxënës.
“Do të kishim dashur që suksesi i nxënësve të rritet, të bashkëpunojmë mes vete, sepse tani gjithçka është në rregull”,- tha një nxënës.
Ndotja e ajrit javën që lamë pas solli prolongimin e fillimit të mësimit për dy ditë. Nga MASh përkujtojnë shkollat se këto dy ditë duhet të zëvendësohen.
FLUTRA LATIFI
