Maqedoni

Marrëveshja e Prespës, Nimic: Mos-hyrja në fuqi, pasoja të rrezikshme

23.01.2019 15:27

Rajoni mund të ketë pasoja të rënda dhe të rrezikshme në rast se Marrëveshja e Prespës nuk do të hyjë në fuqi

Rajoni mund të ketë pasoja të rënda dhe të rrezikshme në rast se Marrëveshja e Prespës nuk do të hyjë në fuqi, vlerëson i dërguari special i KB-së në bisedat mes Shkupit dhe Athinës për çështjen e emrit, Methju Nimic, në intervistën për Agjencinë greke ANA-MPA.  Mospranimi i Marrëveshjes së Prespës, për Nimicin do të thotë regres i gjithë procesit, pasi që të dyja palët do të tërhiqen nga shumë çështje për të cilat veç më janë dakorduar.
 
Të gjitha çështjet, duke e përfshirë edhe emrin për përdorim të përgjithshëm – “erga omnes”, do të kthehen në pozitën fillestare dhe kjo sipas Nimic pamundëson edhe gjetjen e një zgjidhjeje të re dhe të shpejtë. Ai vlerëson se mund të ketë vullnet të ndryshëm politik në të dy vendet, si dhe ndryshime në skenën politike rajonale dhe globale.
 
“Të dyja palët, pothuajse 25 vite, nga nënshkrimi i Marrëveshjes së përkohshme në vitin 1995, kanë punuar me vullnet të mirë për t’i zgjidhur çështjet kontroverse. Marrëveshja përfundimisht ishte arritur pas bisedave dhe negociatave intensive dhe të rënda shumëvjeçare, sepse çdo palë ka besuar se ka arritur t’i mbrojë elementet thelbësore nga interesat e tyre kombëtare, në kuptimin se marrëveshja do të sjellë paqe, stabilitet dhe miqësi, në vend të vazhdimit të konfliktit”,- thotë Nimic.
 
I pyetur nëse në Kombet e Bashkuara gjuha do të pranohet si “maqedonase”, Nimic potencon se edhe tani në listën zyrtare të vendeve të azhurnuar në 1992 nga UNGEGN, vendi është i regjistruar si Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, nën përcaktimin “gjuhë” qëndron “maqedonisht” (mk. “Macedonian).  Nimic përkujton se edhe në Google Translate gjuha maqedonase është njëra nga gjuhët të cilat mund të kërkohet dhe përkthehet. 
 
ERSAN PAJAZITI