Maqedoni

Zaev në takim me Han dhe Stoltenberg: pas Marrëveshjes së Prespës, koha për reforma

24.01.2019 17:56

Maqedonia e ka të garantuar vendin e 30 si anëtare e NATO-s dhe se pas implementimit me sukses të Marrëveshjes së Prespës tani fokusi duhet të vendoset në zbatimin e reformave...

Këto mesazhe iu përcollën kryeministrit, Zoran Zaev, nga komisioneri, Johanes Han, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
 
Numri një i NATO-s theksoi se pret që shumë shpejt vendet anëtare të NATO-s të fillojnë të ratifikojnë protokollet për anëtarësimin të Maqedonisë në Aleancë, ndërsa sa i përket fillimit të negociatave për anëtarësim në BE kjo do të jetë nga prioritetet e presidencës rumune që kryeson me BE-në.
 
“Në bisedë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, edhe njëherë janë afirmuar porositë për përkrahje dhe inkurajim që edhe më tej arrijnë nga NATO, të finalizohet zbatimi i Marrëveshjes së Prespës, si dhe pritja në fillimin e ratifikimit të protokollit për anëtarësim. Kryeministri potencoi se vendi ynë është krejtësisht i përgatitur për atë akt të rëndësishëm, si një nga dy prioritetet më të mëdha të Republikës së Maqedonisë në planin ndërkombëtar në vitin 2019”,- thuhet në njoftimin qeveritar.
 
Edhe gjatë takimit me eurokomisarin Han nga Qeveria njoftuan se është konstatuar se zbatimi i Marrëveshjes së Prespës po zhvillohet sipas asaj që është planifikuar dhe se tani është koha që i gjithë mundi i proceseve politike në të fokusohet në implementimin e theksuar të reformave, që të mundësohet fillim i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
 
Në forumin botërorë ekonomik në Davos, që pritet të zgjasë për disa ditë pritet të diskutohen çështje të rëndësishme ekonomike globale, bashkëpunimi ndërkombëtar në fusha të sigurisë, zhvillimet e të tjera, ndërsa kryeministri Zaev po shoqërohet edhe nga zëvendëskryeministri, Koço Angjushev, dhe ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
ZEKIRIJA MEXHITI