Maqedoni
Komisioni i Venecias: Karakamisheva nuk mund të votojë Ligjin e gjuhëve
24.01.2019 18:39
Me anë të një letre drejtuar qeverisë, sekretari i Komisionit të Venecias, Tomas Markert...

Me anë të një letre drejtuar qeverisë, sekretari i Komisionit të Venecias, Tomas Markert, i është përgjigjur qëndrimeve të zëvendëskryeministrit, Bujar Osmani, se ligji për gjuhët nuk duhej dërguar në këtë komision, derisa Tanja Karakamisheva e përfaqëson Maqedoninë në këtë komision.
Në letër sqarohet se, sipas rregullores, anëtarët nuk kanë të drejtë të japin mendimin për kërkesat që kanë të bëjnë me vendet që i përfaqësojnë, që do të thotë se Karakamisheva nuk do të ketë mundësinë të prononcohet dhe votojë për Ligjin e gjuhëve.
“Zonja Karakamisheva nuk e ka të drejtën e votës për asnjë mendim që ndërlidhet me vendin tuaj. Për më tepër, në debatet e Komisionit anëtarët nuk mund të flasin për pikat që kanë të bëjnë me shtetet e tyre dhe zonja Karakamisheva këtë nuk e ka bërë as në të kaluarën. Ju sigurojmë që ajo nuk do të mund të ndikojë në mendimin e Komisionit të Venecias”,- thuhet nga Komisioni i Venecias.
Duke konfirmuar letrën e Komisionit të Venecias, zëvendëskryeministri Osmani thotë se bëhet fjalë për sqarim të procedurës. Osmani ka përsëritur qëndrimin se Karakamisheva nuk është person i duhur që të përfaqësojë vendin në organizatat ndërkombëtare.
“Vlerësoj se qëndrimet e saj shoviniste, sidomos ndaj shqiptarëve, e bëjnë të padinjitetshme që ta përfaqësojë vendin në cilëndo organizatë ndërkombëtare, e sidomos në Komisionin e Venecias, e cila merret me çështje që kanë karakter të ndjeshëm”,- tha zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
Por, në një postim të saj në rrjetet sociale, Karakamisheva pretendon se në letrën e Komisionit të Venecias drejtuar Qeverisë theksohet se nuk guxon të bëhet presion ndaj asnjë anëtari të komisionit.
ERSAN PAJAZITI
