Maqedoni
Lëvizja Besa - Tetovë: Urgjentisht të ndryshohen emrat e shkollave të mesme
14.10.2019 16:01
Lëvizja BESA paralajmëron ngritjen e një iniciative në Këshillin komunal të Tetovës për ndryshimin e emrave të shkollave të mesme...

Edhe pse shkollat e mesme në Tetovë kanë mbi 80% nxënës shqiptarë, ato ende mbajnë emra nga ish periudha komuniste, e kjo është poshtëruese për shumicën shqiptare të këtij qyteti, thonë nga Besa.
Në Këshillin Komunal duket se ka disponim për ndryshimin e emrave, por pritet që pas konsultimeve me të gjitha partitë për të gjetur emra që do të merrnin votat me badenter, kjo çështje të vihet në rend dite, e me gjasë kjo duhet të ndodhë deri në fund të këtij viti.
“Duke u bazuar në iniciativat dhe kërkesat e mëhershme, ne si Lëvizje BESA propozojmë që Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Nikolla Shtejn” të emërohet “Ferid Murati”, Gjimnazi “Kiril Pejçinoviq” të emërohet “Gjon Buzuku”, Shkolla Bujqësore “Mosha Pijade” të emërohet “Rexhep Voka” dhe Shkolla Tekstile “Gjoce Stojçevski” të emërohet në “Hasan Tasini”. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me këshillat e shkollave, të prindërve dhe unionet e nxënësve, si dhe me partitë tjera politike që janë pjesë e Këshillit komunal të Tetovës, me qëllim që ta ndryshojmë këtë realitet poshtërues për ne si shumicë shqiptare në Tetovë”,- tha këshilltarja e Lëvizjes Besa në KK-Tetovë, Hatije Etemi.
