Kumanovë, shmanget rreziku, lokalizohen të gjitha zjarret

06.08.2021 20:50

Pas 5 ditësh luftë me flakët...

Pas 5 ditësh luftë me flakët, më në fund janë lokalizuar të gjitha vatrat e zjarrit në Komunën e Kumanovës dhe Nagoriçit të Vjetër .

Edhe në këtë rajon, era e fortë e ditëve të fundit ua vështirësoi ndjeshëm ekipeve të zjarrfikësve, ushtrisë dhe vullnetarëve, shuarjen e plotë të zjarreve, pasi ajo ndikonte që në mënyrë sporadike të  rindizen vatra të vogla. Edhe  zjarri afër lokalitetit të Observatorit Kokino është shuar, mbetet fare i pa rrezikshëm zjarri në fshatin Drenak. 

Komuna premton ndihmë financiare për familjet e prekura që u dogjën shtëpitë, por thonë se ka dëme të mëdha  dhe janë djegur  qindra hektarë pyje brenda këtyre pesë ditëve.

Edhe përkundër kërkimeve të vazhdueshme nuk është gjetur asnjë gjurmë e 59 vjeçares, e cila sipas bashkëjetuesit të saj,  kishte mbetur e ngujuar në shtëpi në Nagoriç të Vjetër, kur ndërtesa  u përfshi nga flakët. (Fatlum Aqifi, TVM2)