Botë
Greqia dhe Turqia po luftojnë me zjarret, Mitsotakis: Situata është pak më e mirë
08.08.2021 16:13
Qindra zjarrfikës grekë po luftojnë me zjarret në ishullin Evia...

Qindra zjarrfikës grekë po luftojnë me zjarret në ishullin Evia. Zjarret kanë djegur zona të gjera me pyje, kanë shkatërruar shtëpitë si dhe kanë detyruar turistët dhe vendasit të largohen.Ka dy javë që Greqia dhe Turqia po luftojnë me zjarret shkatërruese, pasi rajoni po përballet me valën e tij më të keqe të të nxehtit në disa dekada. Zyrtarët dhe ekspertët kanë thënë se kjo situatë është pasojë e ndryshimit të klimës.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e tij për personelin e Brigadave të Zjarrit, të Rojave Bregdetare Greke, të Policisë dhe vullnetarët që po luftojnë kundër zjarreve të shumta në të gjithë vendin.
“Situata është pak më e mirë, por përpjekjet duhet të vazhdojnë me intensitet të madh për të kontrolluar të gjitha zjarret dhe për të parandaluar çdo rindezje të mëtejshme. Shpreh pikëllim të thellë për atë që ka ndodhur dhe do të siguroj përsëri të gjithë ata që vuanin nga zjarret se rikthimi në jetën normale do të jetë përparësia ime e parë politike.”, tha kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.
Mitsotakis theksoi gjithashtu se ripyllëzimi i të gjitha zonave të djegura do të bëhej së shpejti dhe se përmirësimet në lidhje me politikën e ripyllëzimit dhe hartimin e planifikimit kundër përmbytjeve dhe antierozionit ishin gjithashtu duke u shqyrtuar.
REJHANE BUSHI METAJ
