Maqedoni

Zjarret, VMRO-DPMNE: Angellov me karikatura, tallet me situatën

10.08.2021 13:47

Papërgjegjësi dhe jo seriozitet në shuarjen e zjarreve, akuzon VMRO opozitare drejtorin e Qendrës për Menaxhim me Kriza....

Papërgjegjësi dhe jo seriozitet në shuarjen e zjarreve, akuzon VMRO opozitare drejtorin e Qendrës për Menaxhim me Kriza Stojançe Angellov. Sipas tyre Angellov tallet me situatën duke shpërndarë karikatura nëpër rrjetet sociale. VMRO nuk kursen as pushtetin nga akuzat për mosmenaxhim siç duhet të situatës.
 
“Kjo është hera e parë që vullnetarë nga shtete të huaja të vijnë dhe shuajnë zjarret në Maqedoni, ndërkaq pushteti pushon, shpërndan vizatime dhe bën marketing personal. Përpjekjet për përballje me zjarret i kordinojnë austriakë, sllovenë dhe të huaj të tjerë. Mediat e huaja e paraqesin Maqedoninë sikur të jetë në shekullin e 14-të, dhe ndërkohë Stojançe shpërndan karikatura dhe luan me degë. Ky është sistemi i LSDM–së në gjendje krize, midis zjarrit.”, tha Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO–DPMNE–së.
 
Angellov: Sillni dikë në QMK të shohë si luftohet zjarri
 
Angellov, i vlerëson si të panevojshme ofendimet dhe kritikat e pabaza. Sipas tij shtabi qëndror i krizave po punon pandërprerë në menaxhimin e stuhisë së zjarreve.
 
“Në vend që të ofendohemi, dërgoni njeriun tuaj, le të vij në shtabin tonë dhe nga afër t’a monitorojë punën, ndoshta do të jep ndonjë propozim më të mirë, ne nuk e rezistojmë. Çdo propozim i mirë i dhënë nga cilido qytetar i këtij shteti, ne do ta pranojmë. Ne s’kemi kohë për filozofime, pasiqë çdo ditë shuajmë zjarre.”, tha Stojançe Angellov, drejtor i Qendrës për Menaxhim me Kriza.
 
Megjithatë opozita konsideron që situata do të menaxhohej më mirë nga një trup i posaçëm i krizës me profesionistë, e jo cirkuzantë sikurse Angellov. Kritikojnë mos thirjen e seancës urgjente në kuvend, ku LSDM do japë llogari për mos ndërhyrjen me kohë në mposhtjen e betejës me zjarret.
 
MERALE ISMAILI